Atentati te Liqeni, biznesmeni: Agresori qëlloi në drejtimin tim, kërkoj mbrojtje nga shteti

Përditësuar më: 21/1/2022, ora 17:10
atentati te liqeni deshmia lulzim masha 1280x720

Atentati te Liqeni, biznesmeni: Agresori qëlloi në drejtimin tim, kërkoj mbrojtje nga shteti

Përditësuar më: 21/1/2022, ora 17:10

Atentati ndaj biznesmenit Lulzim Masha në Tiranë ende nuk është zbardhur nga policia, ndërsa vetë 63-vjeçari ka kërkuar mbrojtje nga shteti.

Burime pranë policisë thanë për A2 se në dëshminë e tij biznesmeni ka treguar dhe mënyrën sesi është qëlluar.

“Në trotuar, rreth orës 9:30 minuta, një djalë i ri më ka goditur me një armë në drejtimin tim duke folur nëpër dhëmbë dhe duke qëlluar me armë në drejtimin tim. Unë kam dëgjuar të shtënat dhe jam larguar me shpejtësi edhe pak metra nga vendi ku më ka gjuajtur. Kam kontrolluar veten isha mirë nuk kisha marrë asnjë goditje dhe jam kthyer sërish te vendi ku u qëllova”.

Masha ka shprehur dhe dyshimet e tij se pak kohë para Vitit të Ri, i njëjti person që qëlloi me të njëjtat karakteristika e kishte ndjekur.

“Ishte një djalë i moshës 25-30 vjeç me një kapele me ngjyrë të zezë pantallona xhinse, jo shumë të errëta me pak mjekër, ezmer dhe i gjatë rreth 180 centimetra. Dua të shpjegoj që para rreth 6-7 ditësh unë kam parë te rruga, te malorja, në afërsi të shkollës ku jam administrator, një djalë me karakteristika të ngjashme që ka ndjekur me sy veprimet e mia. Edhe para Vitit të Ri, në datat 23-24 nuk më kujtohet mirë po i njëjti person ka ndjekur me sy veprimet e mia. Nuk kam pasur asnjëherë asnjë lloj problemi, por në lidhje me këtë ngjarje kërkoj mbrojtje nga shteti”.

Hetuesit kanë marrë në pyetje dhe vëllain e biznesmenit, i cili rezulton se në vitin 1996 është dënuar për vrasje me 15 vite heqje lirie. Sipas deklarimit të tij, kishte bërë vetëm 5 muaj burg, ndërsa kishte dalë në vitin 1997 dhe ishte larguar jashtë vendit deri në parashkrimin e veprës penale. Vëllai i Mashës ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se ajo nuk ka ndodhur për shkak të së kaluarës së tij pasi vetë ai nuk ruhet nga askush.