Vetëm 14 ditë fushatë për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit

Përditësuar më: 22/1/2022, ora 14:32
kqzz 1280x720

Vetëm 14 ditë fushatë për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit

Përditësuar më: 22/1/2022, ora 14:32

31 janari u la si afat i fundit për regjistrimin e partive politike që duan të garojnë në zgjedhjet e pjesshme në gjashtë bashki.

Komisioni Rregullator dha dritën jeshile për afatet proceduriale duke sanksionuar datat 6-9 shkurt për zyrtarizimin e kandidatëve që më pas i lë hapësirë fushatës elektorale.

Kandidatët për kryetar bashkie do të kenë 14 ditë kohë për të bërë fushatë elektorale, kohë e cila për Partinë Demokratike ishte e pamjaftueshme dhe kërkoi zgjatjen në 25 ditë.

Kërkesat e PD-së u rrëzuan të gjitha në Komisionin Rregullator duke nxjerr në pah se tashmë Lulzim Basha ka mbetur pa vota në tavolinën e KQZ-së.

Komisioni Rregullator përbëhet nga pesë anëtar, tre prej të cilëve kanë marrë mbështetjen e PS-së në momentin kur janë propozuar, një PD dhe një nga LSI ku mesa duket, zhvillimet në kampin opozitar kanë reflektuar edhe votat në KQZ.

Gjatë mbledhjes, përfaqësuesit e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës pretendonin përfaqësimin e demokratëve në sallë.

Mes replikash, sekretari për çështjet ligjore në PD, Indrit Sefa, kërkoi ta qartësonte publikisht se kush përfaqëson vulën në institucion. Gjendur përballë këtyre pretendimeve, kreu i KQZ bëri qartësimin institucional.

“Raporti i një partie me KQZ është një raport, i cili është në kuptim të kohës i vazhdueshëm dhe qoftë gjatë periudhës zgjedhore qoftë gjatë periudhës jo zgjedhore ekziston një marrëdhënie për aq kohë sa e përcakton ligji. Duke qenë se është marrëdhënie ndërmjet 2 institucioneve, secili prej institucioneve e demonstron në mënyrën e vetë dhe e demonstron në mënyrë të ligjshme përfaqësimin e ndërsjellë. Me gjithë keqardhjen që kam në lidhje me këtë situatë, por do duhet të pranojmë se jemi në një marrëdhënie institucionale ndërmjet KQZ dhe PD, si një parti politike ku ai që është përfaqësues ligjor i saj e demonstruar kjo deri më sot në akte zyrtare, ka konsideruar se cilët do të jenë përfaqësuesit e saj në zgjedhje. Më duhet të them se për ju kjo ishte fjala e fundit në lidhje me këtë çështje dhe me vazhdimin e mëtejshme të mbledhjes së KQZ. Opinionet dhe mendimet e PD në lidhje me këto akte janë ato të cilat do prezantohen nga zoti Indrit Sefa dhe Marash Logu”, u shpreh Celibashi.