Zgjedhjet e pjesshme lokale, beteja për PD transferohet në KQZ, Celibashi largon “Foltoren”

Përditësuar më: 22/1/2022, ora 16:23
KQZ 1280x720

Zgjedhjet e pjesshme lokale, beteja për PD transferohet në KQZ, Celibashi largon “Foltoren”

Përditësuar më: 22/1/2022, ora 16:23

Beteja ndërmjet Lulzim Bashës dhe Sali Berishës u transferua në sallën e KQZ-së. Në mbledhjen e parë për organizimin e zgjedhjeve të pjesshme, përfaqësuesit e secilës palë pretendonin përfaqësimin e demokratëve në sallë.

Mes replikash, sekretari për çështjet ligjore në PD, Indrit Sefa, kërkoi ta qartësonte publikisht se kush përfaqëson vulën në institucion. Gjendur përballë këtyre pretendimeve, kreu i KQZ bëri qartësimin institucional.

“Raporti i një partie me KQZ është një raport, i cili është në kuptim të kohës i vazhdueshëm dhe qoftë gjatë periudhës zgjedhore qoftë gjatë periudhës jo zgjedhore ekziston një marrëdhënie për aq kohë sa e përcakton ligji. Duke qenë se është marrëdhënie ndërmjet 2 institucioneve, secili prej institucioneve e demonstron në mënyrën e vetë dhe e demonstron në mënyrë të ligjshme përfaqësimin e ndërsjellë. Me gjithë keqardhjen që kam në lidhje me këtë situatë, por do duhet të pranojmë se jemi në një marrëdhënie institucionale ndërmjet KQZ dhe PD, si një parti politike ku ai që është përfaqësues ligjor i saj e demonstruar kjo deri më sot në akte zyrtare, ka konsideruar se cilët do të jenë përfaqësuesit e saj në zgjedhje. Më duhet të them se për ju kjo ishte fjala e fundit në lidhje me këtë çështje dhe me vazhdimin e mëtejshme të mbledhjes së KQZ. Opinionet dhe mendimet e PD në lidhje me këto akte janë ato të cilat do prezantohen nga zoti Indrit Sefa dhe Marash Logu”, u shpreh Celibashi.

Pas sheshimit të konfliktit, mbledhja vijoi me rendin e ditës ku parashikohej djegia e fletëve të votimit të zgjedhjeve parlamentare dhe shkatërrimin e të dhënave të gjeneruara nga sistemi i identifikimit elektronik.