Mbanin 30 emigrantë të paligjshëm në banesë dhe kërcënonin familjarët e tyre, arrestohet një shqiptar dhe dy të huaj në Laprakë

Përditësuar më: 23/1/2022, ora 09:36
Policia Tirane 1024x576

Mbanin 30 emigrantë të paligjshëm në banesë dhe kërcënonin familjarët e tyre, arrestohet një shqiptar dhe dy të huaj në Laprakë

Përditësuar më: 23/1/2022, ora 09:36

Policia e Tiranës ka vënë në pranga tre persona, pasi mbanin të mbyllur në banesë 30 emigrantë dhe kërcënonin familjarët e tyre në vendet e origjinës, si dhe ka proceduar penalisht 14 emigrantë, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Operacioni i koduar “Just in time” goditi këtë veprimtari kriminale, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në një banesë të përshtatur si hotel, në zonën e Laprakës, po mbaheshin të mbyllur rreth 30 persona, emigrantë të huaj.

Në pranga ra një 40-vjeçar shqiptar dhe dy shtetas të huaj përkatësisht: M. K., 40 vjeç, banues në Tiranë, M. E., 26 vjeç, banues në Tarablos, Libi, dhe Z. D., 27 vjeç, banues në Casablanca, Marok.

Ata akuzohen për veprat penale: “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Në banesën e shtetasit M. K., në katin e parë, të tretë dhe te katërt, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 30 persona të shtetësive të ndryshme, kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilët mbaheshin në këto dhoma, pa u lejuar të dilnin, duke ju marrë mjetet e komunikimit dhe duke i kërcënuar familjarët në vendet e origjinës, për kryerjen e pagesës së transportit të këtyre shtetasve, drejt vendit tonë.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 14 shtetasit e huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të.