Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

“Nëse vërtet qeveria ka nevojë për këshillim, të bëjmë referendum”

Nga A2 CNN
25 Janar 2022, 20:57 | Politikë

Analisti Lutfi Dervishi, i ftuar në studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, kritikoi pyetësorin që kryeministri Edi Rama po u dërgon qytetarëve, duke theksuar se “disa pyetje nuk janë për këshillim lokal apo kombëtar, por janë për ekspertë të fushës”.

“Për Ballkanin e hapur për shembull, nuk pyeten njerëzit. Qeveria i përdor sondazhet e brendshme dhe këta njerëz që e kanë bërë këtë pyetësor e dinë shumë mirë se disa pyetje nuk janë për këshillim lokal apo kombëtar, por janë për ekspertë të fushës. Ka edhe pyetje pa kuptim. Sa janë shpenzuar për këto letra, të kishim bërë census”, tha Dervishi.

“Kur pyet njerëzit mbi masat për parandalimin e pandemisë apo certifikatën e vaksinimit, ky është populizëm. Nëse qytetarët kanë mendim të kundërt me epidemiologët, çfarë duhet të bëjmë? Nuk ka kuptim të këshillohesh për çështjen e pandeminë, kur shpresojmë që ajo të jetë drejt fundit”, shtoi Dervishi.

Sipas tij, “nëse vërtet qeveria ndjen se ka nevojë për këshillim, atëherë le të zhvillojmë instrumentin e referendumeve”.

“Ka pasur shumë fushata të qeverisë, si “Stop ndërtimeve pa leje”, “Stop korrupsionit, “Shqipëria e pastër” dhe tani jemi te “Këshillimi kombëtar”. Nëse vërtet qeveria ndjen se ka nevojë për këshillim, atëherë le të zhvillojmë instrumentin e referendumeve. Merret një çështje, debatohet dhe hidhet në votim. Këto janë 12 pyetje që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën”, deklaroi Dervishi.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani