“Kërkesa për investime në turizëm”, Topuzi: Ka pak njësi akomoduese, problem edhe infrastruktura rrugore

Përditësuar më: 28/1/2022, ora 20:30

“Kërkesa për investime në turizëm”, Topuzi: Ka pak njësi akomoduese, problem edhe infrastruktura rrugore

Përditësuar më: 28/1/2022, ora 20:30

Numri i ulët i njësive akomoduese dhe infrastruktura rrugore janë problemet madhore me të cilat përballet sektori i turizmit në vendin tonë. Kreu i shoqatës së Hoteleri-Turizmit Zak Topuzi tha në Business News se kërkohen stimulime në investime dhe përmirësim i infrastrukturës rrugore, që turistët të mos largohen në vende të tjera, pasi mbi 80 % e turistëve në Shqipëri vijnë në rrugë tokësore.

“Problemet janë numri i pakët i njësive akomoduese. Kemi numër të ulët shtretërish, krahasuar me rajonin, kemi tre herë më pak kapacitete akomoduese sesa Mali i Zi. Kërkohen stimulime të investimeve dhe duhet të drejtohen në këtë me resorte e hotele me mbi 600 dhoma që të rrisë turistët potencialë. Kjo është një lëvizje që e ka bërë rajoni, ne jemi mbrapa dhe shpresoj që qeveria ta marrë në konsideratë. Problem tjetër është infrastruktura rrugore, përmirësimi i saj është shumë i rëndësishëm se turistët mbeten ne trafik në pjesën më të madhe të kohës dhe kjo rrezikon turizmin. Kosova e rajoni kanë bërë përmirësime të dukshëm të infrastrukturës. Në rast se Kosova do të sigurojë lëvizjen pa viza do të jetë një potencial i madh për të lëvizur jashtë territorit të Shqipërisë se mund të dalë shumë kollaj më infrastrukturën në Greqi”.

Duke evidentuar problematikën e turizmit ai vlerësoi nismën e fundit të qeverisë për pastrimin e territorit, nga i cili vuan turizmi.

“Problemet e turizmit janë po ato që vihen re gjithmonë, vlerësojmë nismën për pastrimi e territorit nga i cili vuan turizmi shqiptar. Jemi vendi i dytë në Europë dhe këtë pikë e kemi të dobët. Iniciativa e qeverisë është pozitive dhe përmirësimi i ambienteve të pikave kufitare”.

Sa i takon interesit për investime, Topuzi tha se me uljen e TVSH-së ka kërkesa të jashtëzakonshme për të ndërtuar hotele e infrastruktura turistike në Shqipëri.

“Ka kërkesa të jashtëzakonshme për të ndërtuar hotele e infrastruktura turistike në Shqipëri pas uljes së TVSH në hotele e çoi në 6% nga 20% dhe kalimi në investime strategjike që sigurojnë një TVSH 6% në të gjitha shërbimet; ushqimi, baret, restorantet dhe uljen e taksave të infrastrukturës. Pro kjo është përkthyer në atë që shumë kulla kanë përfituar për të ndërtuar kulla kur kjo duhet të kishte ndodhur në bregdet dhe shumë nga vendet e rajonit si Turqia kanë bërë politika fiskale lehtësuese që investimet të shtrihen në vendet ku mund të sigurohen të ardhura. Shtrirja e turizmit për 365 ditë. Flasim për një turizëm ku nëse nuk funksionon për 365 dite do të kemi probleme me kapacitetet menaxhuese e punonjësit e kualifikuar që po ikin jashtë”.

Pavarësisht se viti 2019 mbahet si viti më i mirë sa i takon sektorit të turizmit në vend, Topuzi shpreson se ky vit të jetë më i mirë, ndërsa thekson se Shqipëria është vendi i fundit në rajon sa i takon të ardhurave nga turizmi.

“Shqipëria duke ndjekur politikën e Covid free pati numër të konsiderueshëm turistësh krahasuar me 2020 dhe 11% më pak se 2019 që ishte viti më i mirë. Ishte vit pozitiv krahasuar me rajonin, falë politikave që shteti ynë ndoqi, por edhe trendit të turistëve. Turizmi ndihmoi edhe ekonomitë e tjera që lidhen me të ishte shifër pozitive jashtë pritshmërive. Nuk pati kufizime dhe bëri të mundur hapjen e disa korridoreve, si ato arabe që ngjyrosën turizmin shqiptar që nuk mund të lëviznin në Europë dhe gjetën Ballkanin e Shqipërisë, ishin lëvizje sporadike, jo të organizuara. Turistët rajonalë janë baza, në 2021 zunë 63% të numrit të turistëve, pasi kjo do të jetë baza e strukturës së turizmit në Shqipëri. 80% e turistëve vijnë në rrugë tokësore dhe kjo e bën trendin e turistëve që vijnë në Shqipëri të përkojë me këtë klimë të vështirë lëvizjeje në pandemi dhe na bën ne të bëjmë analizë të thellë sesi duhet ta zhvillojmë turizmin në vitet që vijnë. Politikat tona duhet të jenë ndryshe nga rajoni. Mendojmë se do të jetë një vit më i mirë. Shpresojmë të jetë viti i fundit i pandemisë dhe pengesat që BE ka vendosur të marrin fund këtë vit. Shpresojmë të jetë më i mirë se 2019. Jemi vendi i fundit në Ballkan për të ardhurat nga turizmi”.