Aksident i rëndë në aksin Elbasan-Librazhd, 3 viktima dhe 2 të plagosur

Publikuar më: 1/2/2022, ora 10:25

Aksident i rëndë në aksin Elbasan-Librazhd, 3 viktima dhe 2 të plagosur

Publikuar më: 1/2/2022, ora 10:25

Një aksident i rëndë me pasoja tragjike u regjistrua mëngjesin e kësaj të marte, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, në vendin e quajtur si “Kthesat e Murrashit”.

Si pasojë e përplasjes së dy mjeteve, njëri prej tyre ka dalë nga rruga, duke përfunduar disa dhjetëra metra poshtë, në rrjedhën e Lumit Shkumbin.

Fatkeqësisht, mjeti u pozicionua i përmbysur në shtratin e lumit, duke pamundësuar daljen e të gjithë personave që ndodheshin në të. Për pasojë, me gjithë ndërhyrjen e personave të rastit, banorëve të zonës, policisë dhe reparteve zjarrfikëse të Librazhdit dhe Elbasanit, 3 persona kanë mbetur të vdekur, ndërsa 2 të tjerë të plagosur, ku një prej tyre, një minoren, ndodhet në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Si pasojë e aksidentit kanë gjetur vdekjen shtetasit: E.K. 53 vjeç dhe bashkëshortja E.K. 35 vjeç, si dhe shtetasi E.S. 18 vjeç. Të plagosurit janë shtetasi E.K. 10 vjeç dhe A.H. 20 vjeç.

Personat që udhëtonin në mjetin që doli nga rruga ishin nga Kukësi dhe udhëtonin drejt Librazhdit.

Operacioni i kërkim-shpëtimit ka qenë mjaft i vështirë për shkak të terrenit dhe faktit që mjeti ndodhej në rrjedhën e Lumit Shkumbin.

Për policinë janë ende të paqarta shkaqet, por paraprakisht mendohet se kushtet atmosferike dhe natyrisht mosrespektimi i sinjalistikës rrugore që ka të bëjë me shpejtësinë dhe mbajtjen e krahut dyshohen si shkaktarë të këtij aksidenti tragjik.

“Kthesat e Murrashit” janë ndër njollat e zeza në akset nacionale të vendit, ku edhe më parë janë shënuar aksidente të rënda me pasoja fatale për jetën e njerëzve.