Meta në Kushtetuese, përplasja politike u pasua me shkarkimin nga socialistët në Kuvend

Përditësuar më: 17/2/2022, ora 10:33

Meta në Kushtetuese, përplasja politike u pasua me shkarkimin nga socialistët në Kuvend

Përditësuar më: 17/2/2022, ora 10:33

Që në ditën e parë që pranoi të zgjidhej në Krye të Shtetit, Ilir Meta pohoi se ishte i palumtur, por askush nuk kishte imagjinuar se do të bëhej presidenti i parë në historinë e vendit që shkonte në prag të shkarkimit nga detyra.

Marrëdhënia e brishtë mes tij dhe mazhorancës mori goditjen e parë kur në 8 qershor të vitit 2019, përmes një dekreti, Meta vendosi anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. 

Pavarësisht vendimit, zgjedhjet u mbajtën, por socialistët nuk ia harruan precedentin kreut të shtetit dhe nisën përpjekjet e para për ta shkarkuar, duke votuar në Kuvend për krijimin e një Komision Hetimor të posaçëm për shkarkimin e tij, me argumentin e tejkalimit të Kushtetutës.

Socialistët u detyruan të bënin një hap pas kur Komisioni i Venecias justifikoi Presidentin duke folur për tejkalim të kompetencave që nuk përbënin shkelje të rënda aq sa të justifikonin një shkarkim. Afrimi i zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, zbehu nga veshi i Ilir Metës këshillat e Venecias. Gjatë fushatës elektorale Presidenti i Republikës u dëgjua të bënte thirrje për mprehje sfurqesh dhe prerje duarsh. 

Pas zgjedhjeve, Partia Socialiste, tashmë e rikonfirmuar në pushtet ndërmori të njëjtën procedurë për shkarkimin e Presidentit Meta si në 2019-n, por këtë herë e vendosur në vullnetin politik të Edi Ramës për ta shkarkuar.

Socialistëve iu mjaftuan vetëm 3 javë kohë për të hetuar kreun e shtetit, më shumë një procedurë që konfirmoi qëndrimet e shprehura më herët kundër tij.

Votat pro shkarkimit të Metës shkuan në 104, ndërsa konflikti politik kaloi në derën e Gjykatës Kushtetuese, që mori muaj kohë para se të vendoste shqyrtimin e çështjes.

Edi Rama u detyrua të shkojë sërish te zyra e Ilir Metës për t’u betuar si kryeministër në mandatin e tretë të fituar në zgjedhjet e 25 prillit.

Muajt përvëlues të verës nuk shkrinë aspak akujt ndërmjet Ramës dhe Metës, gjë që u reflektua edhe në ceremonialin shtetëror, ku kryeministri nuk i dha dorën, ndërsa presidenti as nuk e përgëzoi publikisht, si për të dëshmuar që palët i kanë larë tashmë duart me njëri-tjetrin.