Meta, akuza Kuvendit për falsifikim shkresash

Përditësuar më: 17/2/2022, ora 10:22

Meta, akuza Kuvendit për falsifikim shkresash

Përditësuar më: 17/2/2022, ora 10:22

Në sallën e Gjykatës Kushtetuese, përfaqësuesi ligjor i Ilir Metës akuzoi Kuvendin se kishte falsifikuar procedurën e ngritjes së komisionit hetimor, rrjedhimisht duke cilësuar si antikushtetues të gjithë vendimmarrjen e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

“Në 6 maj 2021 është zhvilluar edhe seanca e fundit e Komisionit të Çështjeve Ligjore për hartimin e raportit dhe për t’iu drejtuar seancës plenare. Nuk mund të kishte urdhër në datën 5, kur vetë komisioni nuk kishte përfunduar punën e tij. Dhe kjo nuk përputhet fare me atë që ka depozituar Kuvendi në seancë gjyqësore të datës 4”, tha Bledar Dervishaj, këshilltari i Presidentit.


Shkelja e pretenduar nga Presidenca konsistonte në datën që mbante shkresa kur u thirr seanca plenare për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit. Dokumenti i paraqitur në seancë si provë e re nga socialistët thotë se seanca plenare për ngritjen e komisionit hetimor ishte bërë në datën 6 maj 2021, ndërsa po e njëjta shkresë e sjellë nga administrata e Kuvendit mbante datën 5 maj 2021. Por, përse gjithë kjo betejë për një datë?
Bledar Dervishaj tha: “Vetë Kuvendi, me letrat që ka dërguar po vetë, rrëzon përmbajtjen e atij urdhri që i depoziton Gjykatës Kushtetuese, ku i citon datën 5. Gjithçka lidhet me respektimin e atij afati 48 orë, të cilin kryetari i Kuvendit duhet ta respektojë”.

Në majin e vitit 2021, Kuvendi nisi një procedurë maratonë për shkarkimin e Presidentit, e cila duhej të mbyllej sa më parë, pasi ligji për komisionet hetimore parashikon se hetimet parlamentare nuk mund të bëhen katër muaj para mbarimit të legjislaturës. Komisioni u ngrit dy ditë nga skadimi i afatit, në një seancë plenare që u mbajt ditë të premte, dhe thirrja e saj nga ish-kryeparlamentari Gramoz Ruçi, sipas këshilltarit të Metës, është bërë në një kohë që vetë Komisioni i Ligjeve nuk kishte përfunduar ende hartimin e raportit që do t’ia çonte për votim seancës plenare.  

Duke falënderuar këshilltarët e tij për përfaqësimin në Gjykatën Kushtetuese, Meta e konsideroi një skandal shumë të rëndë veprimin e Kuvendit: “I kërkova të përgatisin menjëherë padinë për falsifikimin e provave nga Kuvendi, të depozituar në Gjykatën Kushtetuese pa asnjë lloj kërkese. Ky skandal shumë i rëndë duhet të marrë menjëherë përgjigje ligjore”.