“Jam Ilir Meta unë o super budallenj, nuk do ta blindoj godinën”

Përditësuar më: 17/2/2022, ora 10:18

“Jam Ilir Meta unë o super budallenj, nuk do ta blindoj godinën”

Përditësuar më: 17/2/2022, ora 10:18

Ilir Meta publikoi dopio-padinë penale, në SPAK dhe në Prokurorinë e Tiranës, ndaj zyrtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët i vë nën akuzën se kanë falsifikuar dokumentet që depozituan si prova në Gjykatën Kushtetuese. Në foltoren presidenciale, Ilir Meta, e konsideroi procedurën e shkarkimit, si një grusht shteti ndaj institucionit më të lartë në vend.

“Krimi i falsifikimit është shumë flagrant. Falsifikimi tregon shumë qartë jo vetëm se si ka funksionuar Kuvendi njëpartiak, por është një dramë se si po funksionon edhe ky Kuvend me opozitën. Është një grusht shteti ndaj institucionit të Presidentit të Republikës”, tha Meta.

Se kush janë autorët e asaj që e quan grusht shteti, Presidenti zgjodhi ta tregojë me ngjyra dhe epitete. “Ta harrojnë të gjithë ata që kanë menduar se në mënyrë mafioze, të gjithë ata rilindës vendas e ndërkombëtarë, mavi dhe blu, se do të varrosin “de facto” pluralizmin politik në Shqipëri dhe do të dhunojnë popullin e Shqipërisë, do të dëshpërohen pafund. Ata do të marrin përgjigjen e merituar dhe për këtë iu jap fjalën. Jam Ilir Meta unë o super budallenj!”.

Por a mendon Ilir Meta se Gjykata Kushtetuese mund t’ia përfundojë mandatin para kohe? “Ju thoni nëse 24 korriku është sot? Unë do të doja të ishte dje. Nuk do të ketë asnjë bravë shtesë. Nuk do të blindohet asnjë gjë. Më 24 korrik, ua kam premtuar, do të kemi një festë dhe pastaj… aty është populli i 2 marsit, është shtuar shumë gjatë kësaj kohe, sidomos me këto falsifikimet e fundit”.

Që prej së hënës, mazhoranca socialiste dhe Presidenti i Republikës janë në pritje të vendimit që do të japë Kushtetuesja.