Nga Bjellorusia në Mesdhe, Rusia vijon të “shtrijë muskujt”

Publikuar më: 16/2/2022, ora 12:58

Nga Bjellorusia në Mesdhe, Rusia vijon të “shtrijë muskujt”

Publikuar më: 16/2/2022, ora 12:58

Në të njëjtën ditë kur raportoi se po tërheq trupa edhe nga Gadishulli i Krimesë, Rusia publikoi pamje nga operacionet stërvitore ushtarake që shtrihen nga Deti Barenc e deri në Mesdhe.

Ministria e Mbrojtjes publikoi pamje të avionëve luftarakë duke punuar për të interceptuar “armiqtë” në qiell, bashkë me forcat e Bjellorusisë, vend aleat ku sipas NATO-s, Rusia ka dislokuar rreth 30 mijë trupa dhe armatime të rënda. Në operacion, morën pjesë avionë Su-30SM të Forcës Ajrore të Bjellorusisë. Sipas Rusisë, kjo stërvitje, e planifikuar prej kohësh, nuk është pjesë e ndonjë plani për pushtimin e Ukrainës, dhe do të përfundojë më 20 shkurt.

Ndërkohë, një ditë më parë, forcat detare ruse kryen operacione ushtarake stërvitore në Detin e Zi, por edhe në Mesdhe. Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, inspektoi operacionin në Mesdheun Lindor, ku ishin mbledhur më shumë se 15 anije luftarake të Flotës së Paqësorit.

Komandanti i Marinës, Nikolai Yevmenov, tha se këto manovra synonin mbrojtjen më të mirë të interesave kombëtare, duke zmbrapsur kërcënimet ushtarake që mund të vinin nga pika kyçe detare. Rreth 30 anije luftarake morën pjesë në stërvitjen e organizuar në Detin e Zi, ndërsa 20 anije të tjera ishin pozicionuar në veri, në Detin Barenc.

Sipas autoriteteve ruse, manovrat janë në përputhje me planin stërvitor të vendit për vitin 2022, ku është parashikuar që në total të përfshihen 140 mjete lundruese luftarake, 60 avionë, 1000 pajisje ushtarake dhe 10 mijë ushtarë, vetëm në dy muajt e parë të vitit.

Presidenti Vladimir Putin, dhe të gjithë zyrtarët e tjerë në Moskë, hedhin poshtë pretendimet e Perëndimit se Rusia po planifikon të pushtojë Ukrainën, por thonë se nuk mund të lejojnë që ajo të bëhet pjesë e NATO-s. Perëndimi e ka refuzuar kërkesën e Rusisë që të mos e anëtarësojë Ukrainën nëse shpreh interes, dhe gjithashtu është shprehur mosbesues për deklaratat e ditëve të fundit për tërheqje të disa trupave nga kufijtë e Ukrainës.