Rusia pretendon se trupat e saj po largohen edhe nga Krimea

Publikuar më: 16/2/2022, ora 10:32

Rusia pretendon se trupat e saj po largohen edhe nga Krimea

Publikuar më: 16/2/2022, ora 10:32

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi të mërkurën se trupat shtesë që ishin vendosur në Gadishullin e Krimesë, ishin duke u larguar nga aty, pas përfundimit të stërvitjes ushtarake. Një ditë më parë, ministria publikoi pamje nga stërvitja e kryer në gadishullin të cilin Rusia ia aneksoi Ukrainës në vitin 2014.

Deklarata vjen një ditë pasi Rusia tha se disa prej trupave të vendosura në kufirin me Ukrainën po tërhiqeshin në bazat e tyre. Deklaratat u pritën me mosbesim në Kiev, por edhe në Perëndim. Këtë mëngjes, sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se ende nuk ka parë dëshmi që Rusia po tërhiqet. “Në terren, vëzhgimet tona tregojnë të kundërtën”, tha ai në programin e mëngjesit në BBC. “Të mos harrojmë që Krimea ishte pjesë sovrane e Ukrainës dhe u pushtua e u aneksua në mënyrë të paligjshme në vitin 2014. Nuk e di nëse deklaratat se disa trupa po tërhiqen nga një vend i pushtuar, japin ndonjë lloj sigurie”.

Një ditë më parë, Presidenti Joe Biden paralajmëroi homologun Vladimir Putin se Amerika do të bashkonte të gjithë popujt e botës kundër Rusisë nëse pushtonte Ukrainën.