Sa dënohet një mercenar shqiptar që lufton jashtë vendit?

Publikuar më: 19/2/2022, ora 15:15
sa denohet nje mercenar shqiptar qe lufton jashte vendit 1071x720

Sa dënohet një mercenar shqiptar që lufton jashtë vendit?

Publikuar më: 19/2/2022, ora 15:15

Një ditë më parë, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, lëshoi akuza të forta duke thënë se mercenarë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina, po rekrutohen për të luftuar në Donbas, krahinën ukrainase ku prej vitit 2014 forcat qeveritare dhe ato separatiste proruse janë në konflikt.

Pas deklaratës reagoi Ministria e Jashtme e Shqipërisë, e cila thërriti ambasadorin rus në Tiranë dhe kërkoi përgënjeshtrimin e lajmit. Por më shumë sesa fakt, deklarata e Lavrov duket një akuzë e pabazuar për të cilën, të paktën deri tani, Ministria e Jashtme e Rusisë nuk ka paraqitur asnjë provë.

Shqipëria e ka të ndaluar me ligj pjesëmarrjen e shtetasve të saj në konflikte jashtë vendit. Kodi penal në kreun VII të tij, si dhe nenet 265/a,265/b dhe 265/c parashikojnë sanksione për pjesëmarrësit në veprime luftarake në një shtet të huaj (ndryshime sipas ligjit nr. 98, datë 31.7.2014). Vendimi i miratimit të këtji ligji është marrë pas përfshirjes së disa personave nga Shqipëria në luftimet që zhvilloheshin në Siri. Një ligj të ngjashëm ka miratuar edhe Kosova. Aktualisht Kodi penal parashikon 10 deri në 15 vjet me burgim personat që nxisin rekrutojnë apo janë pjesëmarrës në luftën në vendet e huaja.

Gjithashtu, në Strategjinë Kombëtare të Luftës kundër Terrorizmit, të miratuar në vitin 2014, Shqipëria ka marrë masa për rishikimin, forcimin dhe ndryshimin e mekanizmave aktualë të kontrollit të financimit të terrorizmit dhe ngrirjes së aseteve për individë dhe subjekte të përfshirë në aktivitet terrorist.