Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, Basha e Berisha përkujtojnë të ndarë

Publikuar më: 20/2/2022, ora 16:11

Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, Basha e Berisha përkujtojnë të ndarë

Publikuar më: 20/2/2022, ora 16:11

Në 31-vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, Lulzim Basha firmosi peticionin që i kërkon Parlamentit miratimin e një ligji për dekomunistizimin.

Ndonëse nisma ka si promotore Jonila Godolen, sekretare e PD-së për të përndjekurit politikë, nuk vjen si iniciativë e forcës më të madhe të së djathtës, por mbështetet nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulture, si dhe instituti Konrad Adenauer.  

Si autor edhe i një libri ku shpjegon mes të tjerash përse nuk duhet vrarë babai politik, Basha ia lejoi vetes të fliste për rrezikun që mbart kulti i individit: “Shkatërron çdo shoqëri që mendon se dikush nga ne, sado i aftë apo i djallëzuar të jetë, është Zot apo gjysmë-zot”.

Në emër të Partisë Demokratike, u kërkoi ndjesë viktimave dhe të përndjekurve të regjimit komunist: “Është një ndjesë e thellë në emër të PD-së, partisë që lindi me aspirata për liri dhe demokraci. Kërkoj ndjesë ndaj të përndjekurve politikë dhe pasardhësve të tyre për proceset e papërmbushura, që nga eshtrat e pagjetura, tek mungesa e kompensimit të plotë moral dhe material”.

Sali Berisha përkujtoi 20 shkurtin në Qytetin Studenti, ku shpjegoi se ende gjente ngjashmëri me vitin 1991: “Përsëri opozita shkau në fals-opozitë, përsëri opozita u shndërrua në pseudo-opozitë, u largua nga vlerat e saj. Është jetike për Shqipërinë që të vazhdojmë betejën me armiqtë e lirisë së shqiptarëve, me trashëgimtarët e barbarive ndaj tyre”.

Berisha i cilësoi të përndjekurit e regjimit komunist si pjesë të ADN-së së Partisë Demokratike, të cilët e ndihmuan t’i mbijetojë momenteve më të vështira si forcë politike.