Balluku: Kontrata me inceneratorin e Tiranës nuk u amendua për të futur edhe mbetjet e Durrësit, ishim në emergjencë

Përditësuar më: 29/3/2022, ora 11:41
Balluku  Kontrata me inceneratorin e Tiranes nuk u amendua per te futur edhe mbetjet e Durresit is 1280x720

Balluku: Kontrata me inceneratorin e Tiranës nuk u amendua për të futur edhe mbetjet e Durrësit, ishim në emergjencë

Përditësuar më: 29/3/2022, ora 11:41

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, tha gjatë dëshmisë në Komisionin Hetimor për inceneratorët, që përfshirja e mbetjeve të Durrësit në impiantin e mbetjeve të Tiranës u bë pa amendimin e kontratës, për shkak se situata ishte emergjente.

Balluku akuzoi demokratët se paragjykojnë çdo përgjigje të dëshmitarëve. “Na merrni ne në pyetje por keni kalcifikuar një ide tuajën. Dhe unë mendoj që kjo është gabim. Komisioni hetimor duhet të hetojë”, tha ajo.

Pjesë nga debati Tabaku-Balluku

Tabaku: A e keni amenduar kontratën për të përfshirë edhe mbetjet e Durrësit në inceneratorin e Tiranës?

Balluku: Kontrata nuk është amenduar. Dëgjova një shpjegim shumë të mirë të kryetares së Bahskisë së Durrësit, e cila foli për emergjence. Plehrat e Durrësit ndodheshin në rrugë dhe kështu është marrë një vendim. Por jo pa asnjë masterplan. Sipas këtij plani janë shpërndarë edhe hartat se ku duhet të jenë impiantet e përpunimit të mbetjeve.

Tabaku: Stafi ju ka sugjeruar ta amendoni kontratën, sepse po i shtoni të ardhurat impiantit të Tiranës. Unë gjykoj që do të ishte në të mirë të institucionit që të ulen kostot.

Balluku: Janë 1,1 milionë tonë plehra që prodhohen gjatë vitit, të studiuar mirë. Këto nuk janë thjesht inceneratorë, janë njësi të përpunimit të mbetjeve që kryejnë gjithë procesin. Në zonën Tiranë-Durrës është parashikuar të jetë vetëm një impiant. Sa i përket pjesës financiare, Bashkia e Durrësit depoziton me të njëjtin çmim si ajo e Tiranës, kështu që nuk shoh asnjë abuzim.