“Më 6 mars, do të merrni përgjigje!”, kryebashkiakja e Durrësit largohet nga Komisioni Hetimor për inceneratorët

Përditësuar më: 29/3/2022, ora 11:42

“Më 6 mars, do të merrni përgjigje!”, kryebashkiakja e Durrësit largohet nga Komisioni Hetimor për inceneratorët

Përditësuar më: 29/3/2022, ora 11:42

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, u largua nga Komisioni Hetimor për inceneratorët, pasi debatoi ashpër me anëtarët demokratë të Komisionit Hetimor për inceneratorët. Duke refuzuar t’i përgjigjej pjesës më të madhe të pyetjeve, Sako u tha demokratëve se do të merrnin përgjigjen e merituar në zgjedhjet e pjesshme vendore. “Unë nuk kam më punë këtë komision sepse keni dalë tërësisht nga objekti”, tha Sako. “Jeni komplet jashtë objektit të Komisionit Hetimor. Më 6 mars, do të merrni përgjigje!”, tha Sako, duke shkaktuar reagimin e deputetëve demokratë. “Me këtë deklaratë e treguat se paratë ju duhen për fushatën zgjedhore”, iu përgjigj deputetja Ina Zhupa.

Seanca e dëshmisë së Sakos, u shoqërua gjatë gjithë kohës me përplasje të forta mes demokratëve dhe socialistëve në komision. “Ju lutem, nuk është etike të lexosh përgjigjet në celular”, i tha Sakos kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku.

Zhupa e akuzoi Sakon se ka nënshkruar një kontratë me inceneratorin e Tiranës pa tender, duke rritur kështu kostot për administrimin e mbetjeve në qytetin e Durrësit. Sako tha se çdo marrëveshje është bërë në kushtet e emergjencës mjedisore dhe se Durrësi, si qytet turistik, ka më shumë detyrim për ta mbajtur të pastër.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, paralajmëroi një padi për Sakon për shkak të largimit të saj dhe refuzimit për t’iu përgjigjur pyetjeve.