Rusi-Ukrainë, një përballje e pashpresë

Përditësuar më: 24/2/2022, ora 13:20
Putin zoti i luftes a2 cnn news lajme bota lufta rusi ukraine 1280x720

Rusi-Ukrainë, një përballje e pashpresë

Përditësuar më: 24/2/2022, ora 13:20

Ndërsa shahu rus tashmë është përshkallëzuar me vendosjen e “trupave paqeruajtëse”, në territoret e Donetskut dhe Luhanskut, skenari i një ofensive është më afër se kurrë.

Me afrimin e një përplasjeje të mundshme ushtarake ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, superioriteti në numra dhe teknologji janë faktorët kryesorë që do të përcaktonin fatin e një pushtimi potencial. Por, faktorë të tjerë, si aleancat rajonale dhe ndërkombëtare kanë ndikimin e tyre. A2 CNN analizon forcën ushtarake, aleancat dhe strategjinë që do të ndiqte Rusia nëse pushton.

Sa herë më e fortë është Rusia?

Epërsia e makinerisë ushtarake ruse përballë ushtrisë ukrainase, tashmë e analizuar gjerësisht, është e qartë dhe vendimtare edhe nëse merret parasysh thjesht tabloja numerike. Nuk ka qoftë edhe një zë armatimi ku Ukraina t’i afrohet Rusisë.

Më poshtë, një ripërmendje e shkurtër e epërsisë ruse përkundër kapaciteteve ukrainase:

  • 4-fishi i personelit ushtarak aktiv krahasuar me Ukrainën
  • 60 herë më shumë mjete luftarake detare
  • 10 herë më shumë personel ushtarak detar
  • 6 herë më shumë tanke
  • 6 herë më shumë mjeteve të tjera të blinduara
  • 2 herë më shumë artileri
  • 10 herë më shumë avionë dhe helikopterë ushtarakë
  • 500 njësi raketash balistike ruse vs. pak njësi të tilla ukrainase

Si paraqitet teknologjia ushtarake e secilit vend?

Që nga lufta në Çeçeni dhe Gjeorgji, ku trupat ruse vijonin të mbështeteshin tek armatimi i vjetruar sovjetik, nga viti 2008 nisën një sërë reformash për modernizimin e ushtrisë ruse. Gjatë një vizite në një bazë të NATO-s në Belgjikë, në vitin 2018, gjenerali amerikan Joe Dunford theksoi se Rusia paraqiste një rrezik real për Europën, duke shtuar se “nuk ekziston asnjë aspekt i forcave të armatosura ruse që nuk i është nënshtruar një mase të caktuar modernizimi”.

Njësi e lëvizshme raketore ruse, 9K720 Iskander-M SS-26

Edhe pse shumica e armatimit rus i përket epokës së Luftës së Ftohtë, ekzistojnë një sërë përditësimesh, kryesisht në raketa, avionë ushtarakë, mjete detare dhe tanke.

Për shembull, Rusia ka rreth 500 tanke të teknologjisë së re, krahas mijëra të tjerëve të trashëguar nga Bashkimi Sovjetik. Megjithatë, duhet theksuar se shumë nga mjetet e vjetra u janë nënshtruar përditësimeve të ndryshme.

T-90M, tank modern rus

Forcat ajrore ruse janë ato që mund të kenë përfituar më shumë nga investimi dhe përditësimi teknologjik gjatë dekadave të fundit. Rusia ka disa qindra aeroplanë luftarakë të roleve të ndryshme të cilat janë të një teknologjie bashkëkohore.

Avioni gjuajtës rus, Su-35S

Gjithashtu, Rusia ka punuar aktivisht në mjetet fluturuese luftarake pa pilot, duke zhvilluar rreth një duzinë llojesh drone luftarake apo mbikqëqyrëse.

Droni rus Fropost

Në krahun tjetër, Ukraina paraqet tablonë e një inferioriteti teknologjik, me shumicën e mjeteve të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik, dhe nga vetëm disa pak qindra njësi mund të përmbushin disa nivele bazike modernizimi. Për shembull, Ukraina disponon vetëm disa dhjetëra njësi tankesh bashkëkohore T-84.

Tank ukrainas T-85

Gjithashtu, vendi ka një numër të paqartë por të kufizuar sistemesh moderne raketore balistike, si dhe disa dhjetëra të tjera të distancës së mesme, gjithashtu bashkëkohore.

Njësi e lëvizshme raketore ukrainase, Hrim-2 Sapsan

Me pak qindra mjete në dispozicion, Ukraina disponon rreth 100 aeroplanë luftarakë, të gjithë të trashëguar nga Bashkimi Sovjetik, dhe ku pak dhjetëra janë përditësuar me teknologji bashkëkohore.

Avion gjuajtës ukrainas, Su-27P Flanker

Të thuhet që në këtë aspekt, Ukraina paraqitet inferiore ndaj Rusisë, do të ishte nënvlerësim. Vërtet, kapacitetet ushtarake teknologjike të agresorit rus paraqiten gjerësisht të prapambetura karshi NATO-s, por hendeku i novacionit ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë është vërtet i madh.

Cila do të ishte strategjia e pushtimit?

Rusia ka mundësinë të godasë nga toka, ajri, ndoshta edhe deti. Mbi të gjitha mund të godasë në distancë përmes raketave balistike, të cilat i disponon me shumicë. Gjithashtu, Rusia mund të ndërhyjë nga një sërë pozicionesh në kufi përmes një brezi relativisht të gjerë, duke vënë në vështirësi përqendrimin e kapaciteteve mbrojtëse ukrainase.

Ndërhyrje nga Donbasi, Bjellorusia, Krimea dhe nga vetë territori rus (Belgorod) janë pikat kryesore, të cilat sipas ekspertëve ndërkombëtarë ka më shumë gjasa të nisë pushtimi rus. Gjithashtu, separatistët nga Donbasi pritet të luajnë një rol në ditët e para të luftës.

Më e rëndësishmja është sesi parashikohet qasja taktike e pushtimit. Shumica e ekspertëve pajtohen se Rusia do të mësyjë fillimisht me forca të blinduara tokësore të mbështetura nga artileria dhe nga goditje të largëta raketore. Por asaj i nevojitet epërsi ajrore për ta lehtësuar sa më shumë ndërhyrjen.

Aeroplanët ukrainas paraqesin një sfidë relative, por ndërkaq ky vend ka disa qindra njësi mbrojtjeje ajrore. Parashikohet që Rusia t’i godasë këto njësi me raketa balistike nga një distancë e sigurt, duke nxjerrë nga funksioni shumicën e kapaciteteve të njohura. Më pas bombarduesit rusë mund të fluturojnë mbi territor për të asgjësuar pjesën e mbetur. Rusia mund të humbë disa aeroplanë në aksion, por në përfundim qiejt do të jenë të lirë.

Prej këtu koordinimi i forcave tokësore me mbështetje të plotë nga ajri do ta shndërrojë luftën konvencionale, sipas fjalëve të një eksperti, në “videogame”. Divizione të tëra ukrainase do të asgjësohen apo do të dorëzohen. Kievi do të bjerë shpejt dhe mbrojtja në rajone të tjera do të shpërbëhet kollaj.

Problemet e vërteta për ushtrinë e Putinit do të manifestohen në mbajtjen nën kontroll të një hapësire vigane prej rreth 600,000 kilometrash katrorë (për krahasim Shqipëria është 28,000 kilometra katrorë).

Shumica e ekspertëve pajtohen se do të jetë një makth ushtarak dhe logjistik për Rusinë, dhe ndoshta një luftë pa mbarim dhe me pasoja të pallogaritshme.

Çfarë roli kanë palët e treta?

Ukraina nuk është në NATO dhe vetë konflikti është parashtruar nga Kremlini por edhe nga komentues të shumtë, janë referuar një anëtarësimi të mundshëm të këtij vendi në Aleancën e Atlantikut Verior si justifikimin kryesor për agresionin rus. Ndërkaq, NATO ka pajisur Ukrainën me rreth 2,000 armë kundërtank, por shumica e ekspertëve dyshojnë nëse kjo ndihmë mund të ketë ndonjë ndikimin real në ekuacionin tërësor të konfliktit.

Takimi i NATO-s me ministrat e Mbrojtjes të vendeve të BE-së, më 16-17 shkurt 2022

Ukraina nuk ka mbështetje të mirëfilltë ushtarake nga partnerët perëndimorë dhe shumica e ekspertëve pajtohen se në rastin e një lufte, ndihma do të kufizohej në informacione dhe inteligjencë ushtarake. Ukraina është vetëm.

Arma e vetme në dispozicion të NATO-s dhe strukturave perëndimore janë sanksionet e ndryshme mbi Rusinë.

Në anën e saj Rusia ka krijuar Organizatën e Traktatit Kolektiv të Sigurisë me Armeninë, Bjellorusinë, Kazakistanin, Kirgistanin dhe Taxhikistanin. Ndërkaq në rol vëzhguesi në asamblenë e organizatës është edhe Serbia. Me përjashtim të Bjellorusisë, nuk pritet që vendet e tjera të kenë ndonjë rol domethënës në konflikt.

Nga takimi i Organizatës së Traktatit Kolektiv të Sigurisë, në vitin 2018

Një shqetësim madhor i Perëndimit është se ambiciet e Putinit tejkalojnë Ukrainën dhe se shahu rus përfshin një strategji më të gjerë të shpalosjes së konfliktit drejt vendeve të tjera të Europës për të rigjallëruar rolin gjeopolitik të Rusisë.

E gjithë kjo ndodh nën shikimin e kujdesshëm të Kinës.