Rusia sulmon Ukrainën

Përditësuar më: 24/2/2022, ora 09:23

Rusia sulmon Ukrainën

Përditësuar më: 24/2/2022, ora 09:23

Rusia nisi një sulm të shkallës së gjerë kundër Ukrainës. Në orët e para të mëngjesit, trupat ruse u futën në Ukrainë, ndërsa shpërthime të shumta u dëgjuan në qytete të ndryshme të vendit, përfshi edhe Kievin.

Autoritetet flasin për 7 të vdekur, 9 të plagosur dhe 19 persona të shpallur të zhdukur. Presidenti Volodymyr Zelensky konfirmoi raportimet për sulm me predha në vendin e tij. Ai tha se Rusia ka sulmuar rojet kufitare dhe disa infrastruktura të Ukrainës. Sipas raportimeve, ushtria ruse nisi me pushtimin e Ukrainës nga disa fronte: konkretisht trupat kaluan kufirin nga Bjellorusia, Krimea dhe krahina e Donbasit.

Ushtria ruse me anë të një deklaratë bëri me dije se nuk hasi në asnjë rezistencë nga ana e rojeve kufitare ukrainase gjatë nisjes së pushtimit. Gjithashtu, Moska pretendon se ka bllokuar sistemet e mbrojtjes ajrore të Kievit. Nga ana tjetër, qeveria e Ukrainës tha se ka rrëzuar disa avionë të Rusisë, në atë që duket të jetë përplasja e parë mes dy vendeve.

Por Kremlini hedh poshtë këtë pretendim duke theksuar se nuk i përket realitetit në terren. Ndërkohë, në territorin e Ukrainës ka shpërthyer paniku, bashkë me raketat e shumta të lëshuara nga ushtria ruse. Linja të gjata trafiku janë regjistruar në Kiev dhe qytete të tjera, një tentativë kjo e shumë qytetarëve për t’u larguar nga vendi. Një pjesë po gjejnë alternativa strehimi, si për shembull brenda metrove. Gjithashtu, raportohet një zbrazje e bankomatëve në mbarë Ukrainën.