Mbi 500 mijë refugjatë kanë lënë Ukrainën, BE gati t’u japë leje qëndrimi dhe pune

Përditësuar më: 28/2/2022, ora 15:14

Mbi 500 mijë refugjatë kanë lënë Ukrainën, BE gati t’u japë leje qëndrimi dhe pune

Përditësuar më: 28/2/2022, ora 15:14

Bashkimi Europian po përgatitet për t’u dhënë ukrainasve që largohen nga lufta të drejtën për të jetuar dhe punuar në shtetet e unionit deri në 3 vjet, thotë Reuters.

Të paktën 400 mijë ukrainas janë hyrë deri tani në territoret e Bashkimit Europian, tha komisionerja e çështjeve të brendshme, Ylva Johansson, pas një vizite në kufirin mes Ukrainës dhe Rumanisë. “Duhet të përgatitemi për miliona persona që do të mbërrijnë në BE”, tha ajo.

Të dielën, ministrat e Bashkimit Europian i kërkuan Johansson-it që të përgatiste propozimet për të aktivizuar direktivën e përkohshme të mbrojtjes, një nismë e miratuar fillimisht pas lustrave në Ballkan në vitet 1990, por të papërdorur kurrë më parë.

Direktiva shërben për përballimin e mbërritjes së shifrave të mëdha të personave të zhvendosur për shkak të luftërave dhe u jep këtyre personave leje qëndrimi dhe akses në tregun e punës dhe të sigurimeve shoqërore. Johansson tha se shpresonte që marrëveshje mes ministrave të Brendshëm të 27 vendeve anëtare të arrihej të martën.

Mbi 500 mijë refugjatë kanë lënë Ukrainën

Më shumë se 500 mijë refugjatë kanë lënë Ukrainën duke kërkuar strehim në vendet fqinje, që pas nisjes së pushtimit rus, raporton agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR).

“UNHCR është duke bashkëpunuar me të gjithë partnerët dhe autoritet lokale për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të mbështetur të gjithë ata që kanë nevojë”, shkruhet në një postim në Twitter. Më herët edhe Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë për Refugjatët pranë UNHCR tha se “fqinjët duhet të të ndajnë në mënyrë urgjente përgjegjësi, në rrugë konkrete”.

Pjesa më e madhe e lëvizjeve janë bërë në kufirin me Poloninë, por ndërkohë shumë i lartë është edhe numri i atyre që kanë kaluar orët e fundit drejt Rumanisë. Shumë vende evropiane ndërkohë kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të presin refugjatët ukrainas.