Nga kokat bërthamore te “babai i të gjitha bombave”, armët brutale të ushtrisë ruse

Përditësuar më: 28/2/2022, ora 22:58

Nga kokat bërthamore te “babai i të gjitha bombave”, armët brutale të ushtrisë ruse

Përditësuar më: 28/2/2022, ora 22:58

Që nga dita kur presidenti Vladimir Putin shpalli “operacionin ushtarak special” në lindje të Ukrainës, raketa të ndryshme kanë goditur vendin, përfshirë dhe kryeqytetin Kiev.

Kreu i Kremlinit, po atë ditë kërcënoi pjesën tjetër të botës se do të përballej me pasoja të mëdha nëse vendoste të ndërhynte në këtë konflikt.

Putin shtoi se Rusia është fuqia bërthamore më e madhe që gjithashtu disponon dhe armë të tjera brutale, disa prej të cilave janë të ndaluara nga konventat ndërkombëtare.

Mediat e huaja i kanë kushtuar së fundmi një artikull arsenalit që Rusia disponon, me të cilin kërcënon tashmë sigurinë e të gjithë botës.

Mbushjet bërthamore, zjarrhedhësit, apo super arma 16 milionë dollarëshe e cilësuar si “babai i të gjitha bombave”, janë disa nga armët kryesore të Rusisë, pa harruar këtu raketat me rreze të gjatë veprimi.

Numri i saktë i kokave bërthamore të Rusisë është sekret shtetëror, por vlerësime jozyrtare nga Buletini i Shkencëtarëve Atomikë bën me dije se ato mund të jenë 4447, prej të cilave 1588 janë tashmë të vendosura në raketa balistike.

Një armë tjetër e frikshme ruse është raketa balistike “Kalibr” me rreze 2400 km, që rivalizon “Tomahawk” e prodhuar në SHBA. Ajo është krijuar në vitin 1990 dhe përdorur për herë të parë në luftime në vitin 2015. “Kalibr” mund të lëshohet nga anijet, nëndetëset dhe trupat tokësore.

Për ekspertët, arma tjetër e frikshme ruse ka pseudonimin “babai i të gjitha bombave”. Ajo është e tipi termobarike dhe kushton 16 milionë dollarë.

Raketat termobarike janë të gjendje të shpërbëjnë trupin e njeriut, të shtypin organet si dhe të thithin të gjithë oksigjenin në zonën ku godasin dhe më pas shpërthejnë.

Ky sistem është shumë efektiv ndaj trupave të vendosura në llogore dhe në goditjen e pozicioneve të fortifikuara dhe bunkerëve.

Shumë organizata për të drejtat e njeriut e kanë kundërshtuar përdorimin e kësaj arme për shkak të efektivitetit të saj vdekjeprurës, ndërkohë edhe vendet aleate e kanë shprehur shqetësimin që në nisje të luftës, se mos Putin do të përdorte këtë armë.