Ukraina kërkon të anëtarësohet menjëherë në BE: Jam i sigurt se është e mundur

Përditësuar më: 28/2/2022, ora 11:45
zelenski 2 1280x720

Ukraina kërkon të anëtarësohet menjëherë në BE: Jam i sigurt se është e mundur

Përditësuar më: 28/2/2022, ora 11:45

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje Bashkimit Evropian duke kërkuar anëtarësim të menjëhershëm për Ukrainën në BE, përmes “procedurës së re të thjeshtuar speciale”.

“Ne i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që të pranojë urgjentisht Ukrainën duke përdorur një procedurë të re. Ne u jemi mirënjohës partnerëve që qëndruan me ne. Por qëllimi ynë është të jemi me të gjithë evropianët dhe të jemi të barabartë me ta. Jam i sigurt që e meritojmë. Jam i sigurt se është e mundur”, tha Zelensky në videomesazhin e tij të fundit.

Zelensky tha se ai foli të dielën me presidentët e Portugalisë, Lituanisë, Francës dhe Polonisë, si dhe kryeministrat e Belgjikës, Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Mbështetja e koalicionit tonë kundër luftës është e pakushtëzuar dhe e paprecedentë”, tha Zelensky.

Ndërkohë presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, tha se koha për anëtarësimin e Ukrainës në BE duket se po përshpejtohet, ndërsa Kievi përgatiti një aplikim për anëtarësim.

“Qeveria ukrainase po përgatit kërkesën zyrtare për anëtarësim në BE. Kjo do të thotë se Komisioni do të duhet të mbajë një qëndrim zyrtar pas marrjes së kërkesës dhe do të thotë se Këshilli i BE-së gjithashtu do të duhet të mbajë një qëndrim. Mendoj se debati do të zhvillohet shumë shpejt”, tha presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel.

Në orët e fundit, presidentja e Komisionit Evropian kishte shpjeguar se Ukraina është “një prej nesh dhe ne i duam ata në Bashkimin Evropian. Ne kemi një proces me Ukrainën, i cili konsiston, për shembull, në integrimin e tregut ukrainas në tregun e vetëm”.

Në mbrëmje, Von der Leyen do të takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron për të biseduar për Ukrainën dhe “sovranitetin evropian”.