Vuçiç: Kosova në NATO, ide e SHBA dhe BE, jo e shqiptarëve. Borrell: Kriza mund të përhapet dhe në Ballkan

Përditësuar më: 28/2/2022, ora 16:42

Vuçiç: Kosova në NATO, ide e SHBA dhe BE, jo e shqiptarëve. Borrell: Kriza mund të përhapet dhe në Ballkan

Përditësuar më: 28/2/2022, ora 16:42

Serbia po tenton të sillet njësoj si Rusia. Presidenti Aleksandar Vuçiç, komentoi aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO duke theksuar se situata “nuk është aspak naive”. Ai shtoi se këtë ide e ka dëgjuar së pari rreth 6 muaj më parë nga shërbimet e sigurisë të Serbisë.

“Nuk është ide e shqiptarëve nga Kosova, por e lobistëve të tyre dhe e disa politikanëve në SHBA dhe BE. Pse është e rëndësishme për ta? Me këtë lëvizje, ata duan të detyrojnë katër vende të BE-së që janë anëtare të NATO-s, që ta njohin pavarësinë e Kosovës., tha Vuçiç.

Ky reagim erdhi pasi ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, tha më herët se anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës është një nevojë urgjente, për të garantuar stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Shqetësimi i Prishtinës është i njëjtë dhe me atë të Brukselit. Shefi i politikës së jashtme i Bashkimit Europian, Josep Borrell, i druhet mundësisë që kriza nga pushtimi rus në Ukrainë mund të përhapet në vendet fqinje, madje duke mbërritur edhe në Ballkanin Perëndimor. “Duhet të qëndrojmë vigjilentë për ndikimin që do të sjellje kjo krizë në Ballkanin Perëndimor dhe të shohim qëndrimet dhe rreshtimin e vendeve që janë kandidate për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian, pra rreshtimin e tyre me politikën tonë të jashtme”, tha ai.

Një referencë dhe paralajmërim i qartë për Serbinë që ende nuk është bërë pjesë e sanksioneve të perëndimit kundër Rusisë. Shqetësimin e BE-së duket se e legjitimon vëmendja që mediat afër presidentit Vladimir Putin, po i kushtojnë Ballkanit Perëndimor. “Russia Today” e rreshton si lajm kryesor informacionin që Kosova kërkon anëtarësim të përshpejtuar në NATO dhe ndërtimin e një baze të përhershme ushtarake në territorin e saj. Disa ekspertë rusë thanë për këtë media afër Kremlinit se Prishtina po përpiqet të përfitojë nga histeria e perëndimit nga ajo që po ndodh në Ukrainë. Ekspertët rusë mbështesin qëndrimin e Serbisë duke theksuar se Kosova synon të fitojë njohjen e pavarësisë nga disa vende të Bashkimit Europian.