A2 CNN në Ukrainë dhe Poloni, luftë dhe krizë emigrantësh

Përditësuar më: 3/3/2022, ora 22:46

A2 CNN në Ukrainë dhe Poloni, luftë dhe krizë emigrantësh

Përditësuar më: 3/3/2022, ora 22:46

Ekipet e A2 CNN kanë mbërritur në terrenin e luftës në Ukrainë, atje ku po ndodh kjo ngjarje historike, ku e gjithë bota ka sy e veshë se çfarë do të ndodhë.

Gazetari Julian Kasapi, së bashku me operatorin Endrit Myftari, kanë udhëtuar në qytetin e Lviv, në perëndim të Ukrainës për të raportuar nga aty situatën e rëndë që po kalon populli i atij shteti.

“Kemi pak që kemi hyrë në territorin e Ukrainës dhe ka qenë e vështirë për shkak të shtetrrethimit që ka Ukraina, nga ora 18:00. Ndodhemi në Lviv. Ashtu si në të gjithë Ukrainën edhe këtu dëgjohen sirena herë pas here, por duhet thënë se nuk është një nga qytetet më të rrezikuara. Ka qenë mjaft e vështirë për të hyrë deri në Lviv, qyteti më i madh që ndan Poloninë dhe Ukrainën”, raporton gazetari A2 CNN.

Ndërkohë, gazetari Ervin Koçi dhe operatori Stivi Meshini ndodhen në Prezemysl në Poloni, pranë kufirit me Ukrainës, aty ku është edhe pjesa më e madhe e refugjatëve që janë larguar nga vendlindja e tyre për shkak të luftës. Ai raporton se aktualisht janë rreth 377 mijë shtetas ukrainas që kanë kaluar kufirin dhe kërkojnë strehim në Poloni. Sapo emigrantët kalojnë kufirin ndodhen grupet vullnetare që bëjnë asistimin e personave që kërkojnë ndihmë, asistencë mjekësore dhe transport në zona të tjera ku mund të akomodohen. Po ashtu, spitalet në Poloni kanë ofruar ndihmë për personat e plagosur.

Gjatë ditës së nesërme, dy grupet e A2 CNN do të sjellin detaje dhe fakte nga Polonia dhe Ukraina, aty ku lufta ka ndryshuar botën.