Rusia, një superfuqi imagjinare, por e rrezikshme

Përditësuar më: 2/3/2022, ora 09:30
Putin Chess 1280x720

Rusia, një superfuqi imagjinare, por e rrezikshme

Përditësuar më: 2/3/2022, ora 09:30

Rusia është e madhe vetëm në sipërfaqe dhe në armatim bërthamor. Megjithatë, e krahasuar me fuqitë e mëdha botërore, në një sërë treguesish të tjerë, ajo nuk rezulton një superfuqi e vërtetë. Ekonomia, teknologjia dhe novacioni, sfidat mjedisore dhe të tjerë faktorë, e renditin Federatën Ruse në një kategori të dorës së dytë. Por kjo analizë nuk pikturon tablonë e një Rusie më pak të rrezikshme. Përkundrazi.

Ekonomi relativisht e madhe, por e rrezikuar

Ekonomia ruse edhe pse renditet e 11 në botë për nga madhësia, është jombresëlënëse nëse krahasohet me ekonomitë e vendeve dhe unioneve me të cilat ajo ka hyrë në një spirale përplasjeje, apo edhe e vendeve partnere. Ekonomia e Rusisë është 10 herë më e vogël sesa ajo e Bashkimit Europian, 15 herë më e vogël se e Shteteve të Bashkuara dhe pothuajse 10 herë më e vogël se e Kinës.  

Burimi: Banka Botërore

Në Europë, Rusia lihet pas nga Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia. Nëse krahasohet me shtetet përbërëse të SHBA, edhe Kalifornia, edhe Teksasi apo Nju-Jorku, secili prej tyre ka ekonomi më të madhe sesa Rusia.

Hendeku mes ekonomisë ruse dhe të tjerave, bëhet edhe më domethënës nëse merret parasysh që Rusia renditet e para në botë për nga sipërfaqja, me mbi 17 milionë kilometra katrorë. Tri vendet që e ndjekin – Kanadaja, Kina dhe SHBA-ja – kanë nga pothuajse 10 milionë kilometra katrorë dhe deri në diçka më shumë se 9 milionë kilometra katrorë.

Gjithashtu, pozicionimi i saj i favorshëm mes Europës dhe Azisë e ka ndihmuar Rusinë të paraqitet si një ekonomi e madhe, por jo aq e madhe sa mund të ishte, krahasuar me vendet e tjera me shumë më pak burime, por me ekonomi më të fuqishme.

Burimi: Banka Botërore

Gjatë periudhës 2010-2020, Rusia ka shënuar një rritje mesatare vjetore të ekonomisë prej rreth 1.7%. Kjo është një performancë e dobët. Por kjo dekadë ka qenë e trazuar për të gjithë. Bashkimi Europian shënoi një rritje mesatare vjetore prej vetëm 1%, ndërsa SHBA-ja po aq sa Rusia, me 1.7%. Këto nivele rritjeje nuk janë aq alarmuese për SHBA-në dhe BE-në, nëse merret parasysh që ekonomitë e strukturuara priren të shënojnë rritje më të ulëta, por të qëndrueshme në krahasim vendet në zhvillim. Dallimi madh është se SHBA-ja rriti me 1.7% një ekonomi shumë herë më të madhe se të Rusisë. E njëjta analogji vlen edhe për Eurozonën.

Burimi: Banka Botërore

PBB-ja për frymë, e cila ndan prodhimin ekonomik të një vendi me numrin e popullsisë, është një tregues domethënës për të kuptuar standardin e jetesës së një shteti. Edhe në këtë tregues, Rusia paraqitet disafish më dobët se konkurrentët e saj perëndimorë, duke qenë në një nivel thuajse identik me Kinën. Me fjalë të thjeshtuara, kjo tregon se rusët janë një popull krahasimisht i varfër.

Burimi: Banka Botërore

Si një vend me rezerva të mëdha gazi dhe nafte, bilanci tregtar i Rusisë paraqitet pozitiv, me 42 miliardë dollarë më shumë eksporte sesa importe. Rreth 70% e eksporteve të Rusisë janë nga ky sektor, çka flet për varësinë e madhe të vendit nga prodhimi i karburanteve dhe energjisë.

Krahasimisht, shumica e eksporteve të BE-së janë makineri dhe pajisje, produkte farmaceutike dhe kimike, produkte teknologjike. Eksportet kryesore të SHBA-së janë ushqime dhe pije, naftë dhe nënprodukte të saj, aeroplanë dhe pjesë të tyre, produkte të tjera industriale. Tek eksportet kineze spikatin produktet e teknologjisë, përfshi pajisje transmetimi, kompjuterë, pajisje elektronike zyre, telefona, qarqe të ndryshme elektronike dhe pajisje të tjera novatore. 

Në varësi të metodologjisë së përdorur, karburantet fosile dhe energjia vlerësohen deri në 25% të ekonomisë ruse. Nga ana tjetër, BE-ja përfaqëson një ekonomi më të larmishme nga pikëpamja sektoriale, duke përfshirë bujqësinë, turizmin dhe energjinë.

Mungesa e diversifikimit dhe varësia e lartë e ekonomisë së Rusisë nga nafta dhe gazi, shfaq edhe cenueshmërinë e saj, në rast të ndonjë goditjeje në sektorin e energjisë. Për shembull, kriza financiare në Rusi gjatë 2014-2016, e cila kulmoi me një rënie ekonomike prej rreth -2% të PBB-së në 2015, rezultoi nga një zhvlerësim i ashpër i rublës ruse. Ky zhvlerësim ishte më vete një rezultat i rënies së besimit tek ekonomia e këtij vendi, çka i shtyu investitorët të shesin asetet e tyre ruse. Besimi i tregjeve u trondit nga dy faktorë. I pari ishte rënia globale e çmimit të naftës me rreth 50%, një ndër eksportet kryesore ruse. Faktori tjetër kishte të bënte me sanksionet ekonomike ndërkombëtare ndaj Rusisë, si pasojë e aneksimit të Krimesë.

Në rastin konkret, mësymja ruse në Ukrainë po ndodh në një periudhë krize energjetike botërore me çmime të larta të energjisë, ndërsa lufta vetëm se i ka rritur edhe më shumë ato. Ndaj, faktori i parë i një krize të mundshme ekonomike mungon. Por edhe masat e Perëndimit nuk janë të njëjtat. Sanksionet sakatuese aktuale që vetëm sa vijnë e shtohen, pritet të kenë efekte të rënda, ndoshta të paprecedenta, mbi ekonominë ruse.

E vonuar në garë me kohën

Problemi madhor i Rusisë është koha. Dikur një superfuqi botërore nën konglomeratin sovjetik, Rusia e sotme përfaqëson një tjetër vend. Në fakt, termi “kolaps i superfuqisë” i referohet kryesisht shkërmoqjes së Bashkimit Sovjetik përballë supremacisë disaplanëshe të Perëndimit. Gjithashtu, paratë e thata që hyjnë në ekonominë ruse vijnë kryesisht nga gazi dhe nafta, dhe për të ardhmen e afërt pritet që kjo prirje të vazhdojë.

Ndryshimi i flamurit sovjetik me atë rus në Kremlin, 25 dhjetor 1991

Bashkimi Europian siguron rreth 40% të gazit nga Rusia, e cila zotëron shumicën e rezervave botërore të gazit natyror. Vetëm në vitin 2021, Rusia i shiti 100 miliardë euro gaz Europës. Rreth 25% e energjisë së BE-së sigurohet përmes gazit natyror. Ndërkaq, blloku Europian ka qenë i ngadaltë në përshtatjen e burimeve të reja të energjisë.

Megjithatë, presioni publik rreth ndryshimit klimatik ka rritur shtysën dhe investimet për ndërtimin e kapaciteteve alternative të energjisë. Në fillim të muajit shkurt, Komisioni Europian e shpalli energjinë bërthamore si një burim të qëndrueshëm dhe ndihmuese ndaj mjedisit. Ky vendim nënkupton se mbështetja dhe stimulimi financiar dhe rregullator, pritet të hapin dritën e gjelbër për prodhim të shtuar, potencialisht të shumëfishuar, të energjisë nga reaksioni atomik.

Reaktor bërthamor eksperimental në Shkollën e Politeknikut Federal në Luzanë të Zvicrës

Ky është vetëm fillimi. Pak ditë pas vendimit paraprak të Komisionit, shkencëtarët europianë raportuan një përparim të hatashëm në realizimin praktik të fuzionit bërthamor. Kjo arritje nënkupton se mundësitë për të prodhuar vëllime edhe më të mëdha energjie – sakaq të mundshme përmes centraleve konvencionale bërthamore – mund të bëhen të prekshme në një të ardhme shumë të afërt. Në terma simbolikë, bëhet fjalë për të njëjtën energji që prodhojnë yjet, përfshi Diellin.

Një raport i publikuar vitin e shkuar nga Carbon Tracker, vlerësoi se deri në vitin 2035, energjia diellore e kombinuar me energjinë nga era, mund ta ulin në nivele të papërfillshme përdorimin e karburanteve fosile për të prodhuar energji elektrike. Nga ana tjetër, edhe transporti po i nënshtrohet një përditësimi elektrik. Në vitin 2020, 1.3 milionë mjete elektrike u shitën në Kinë dhe Bashkimin Europian. Në nivel botëror, vlerësohet se mjetet e transportit elektrik do të shënojnë 7% të totalit të shitjeve të tilla. Vlerësime të tjera parashikojnë se shitjet e automjeteve elektrike deri në vitin 2030, do të tejkalojnë 50% të totalit.

Autobus elektrik në Vjenë

Këto përditësime janë lajme të këqija për ato vende, ekonomitë e të cilave varen masivisht nga prodhimi dhe tregtimi i naftës dhe gazit. Prej më shumë se një dekade, vendet e pasura të Gjirit janë përfshirë në një garë kundër kohës për modernizmin e ekonomive dhe infrastrukturës së tyre, duke kërkuar të zhvillojnë burime alternative përtej naftës dhe gazit. Ndërsa Rusia ndan të njëjtin problem, asaj i mungojnë burimet financiare dhe teknologjike për të transformuar ekonominë e saj.

Shpenzimet ushtarake janë gjithashtu, manifestim i fuqisë ekonomike. Edhe pse ka ushtrinë e dytë më të madhe në botë pas Shteteve të Bashkuara, duhet theksuar se Federata Ruse e ka trashëguar pjesën dërrmuese të armatimit nga Bashkimi Sovjetik. Në renditjen e shpenzimeve aktuale për ushtrinë, Rusia mbetet pas SHBA-së, Kinës, BE-së dhe Indisë.

Burimi: Instituti Ndëkombëtar Kërkimor për Paqen në Stokholm

Në fakt, makineria ushtarake ruse varet kryekëput nga të ardhurat e siguruara nga tregtimi i energjisë fosile. E vetmja mënyrë sesi vendi mund të financojë ushtrinë e saj në rritje është përmes përdorimit të fondit rezervë – para të cilat Kremlini ka arritur t’i vërë mënjanë gjatë viteve të fundit, kur çmimet e karburanteve ishin të larta. Por në një botë që po evoluon kaq shpejt, ky model nuk është më i sigurt.

Teknologjikisht e prapambetur, primitivisht e rrezikshme

Rusia eksporton gaz dhe naftë, ndërsa importon kryesisht makina, pajisje industriale dhe teknologjike, dhe të tjera. Shumica e importeve të këtij vendi vijnë nga Kina. Kina importon energji fosile nga Rusia, të cilën e përdor për të prodhuar pajisje teknologjike që ia shet po kësaj. Me fjalë të tjera, Rusia prodhon vetëm karburantin që furnizon ekonomitë më novatore të vendeve të tjera, përfshi të atyre aleate – nëse Kina mund të konsiderohet e tillë.

Modeli kinez ka rezultuar më i suksesshëm sesa ai rus, duke e zëvendësuar këtë të fundit si superfuqia e vërtetë joperëndimore në botë. Për shembull, nëse hidhen sytë nga hapësira, spikat misioni kinez në hënë, ku Roveri i saj po eksploron terrenin hënor duke dërguar imazhe në Tokë. Tani është Stacioni Hapësinor Tiangong ai që konkurron me Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Rusia vazhdon të lëshojë ndonjë satelit, por kohët kur hahej me SHBA-në për hapësirën dhe efigjia e Gagarinit ishte emblema botërore e tejkalimit të kufijve të planetit, kanë perënduar një herë e mirë. Nuk ekziston asnjë tregues ku Kina nuk e ka zëvendësuar Rusinë si superfuqi botërore.

Stacioni hapësinor kinez Tiangong

Teknologjia dhe novacioni janë arena e vërtetë e garës për pasuri dhe pushtet në këtë botë të re të guximshme. Kjo është një sferë ku Rusia nuk shkëlqen. Sikundër ajo nuk renditet në 10 ekonomitë më të mëdha, në Indeksin Ndërkombëtar të Novacionit, Federata Ruse pozicionohet në vendin e 15. Shtetet e Bashkuara, Kina dhe një sërë vendesh të BE-së, e lënë pas superfuqinë bërthamore. Madje, edhe në garën e armatimeve, makineria ruse paraqitet relativisht e prapambetur krahasuar me NATO-n dhe Kinën.

Kjo tablo flet për Rusinë si vend që po pëson bjerrje nga konkurrenca e të tjerëve dhe nga evolucioni i pandalshëm teknologjik. Demokracitë lulëzuese në perimetrin e saj të ngushtë janë një problem i madh legjitimiteti politik për diktatorin Vladimir Putin. Për të kapur ritmin e kohëve, Rusisë i duhen para, të cilat po i investon gjerësisht në armatime. Ndërsa burimi kryesor ekonomik i këtyre të ardhurave – nafta dhe gazi – rrezikohet nga e ardhmja jo fort e largët.

Në mungesë të të gjitha këtyre mundësive, Presidenti rus po përdor gurin e vetëm që i ka mbetur në fushën e shahut: konfliktin ushtarak të mbështetur nga kërcënimi bërthamor i shkatërrimit të botës. Në një dokumentar të vitit 2018, Putini shtroi një pyetje filozofike: “Ç’na duhet një botë ku Rusia nuk është?”/A2CNN