Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

A2 CNN në kufi, saga e ukrainasve për të shkelur tokën e sigurt

Nga A2 CNN
2 Mars 2022, 20:19 | Bota

Polonia ka hapur dyert e saj për t’u kthyer në shtëpinë e dytë të qytetarëve ukrainas, të cilët po largohen për shkak të luftës.

Po shkon në 400 mijë numri i personave që kanë kaluar deri më tani kufirin polak në kërkim të një strehe më të sigurt.

Miqësia mes dy vendeve nuk ishte e vështirë për t’u parë pasi procedurat për kalimin e kufirit ishte thjeshtëzuar.

Gra, pleq e fëmijë i janë drejtuar kufirit me çdo mjet transporti, tren, automjete e madje edhe ne këmbë.

Gjetja e një strehe të sigurt nuk do të thotë paqe për ta.

Në metrat e parë të shtetit polak janë ngritur çadra për të ofruar ndihmë mjekësore, ushqim apo edhe veshmbathje. Ndërsa stacioni i parë është qendra e pritjes në Pshemish, qytet i cili përballet me flukset migratore.

Saga për të kaluar kufirin

Ekipi i A2 CNN kaloi kufirin polak për të dëshmuar situatën në të cilën ndodhen refugjatët.

Radha e makinave në kufi është kilometrike dhe akomodimi i refugjatëve të luftës po bëhet si në rrugë zyrtare ashtu edhe në ato vullnetare. Ndërsa burrave u ndalohet largimi, ata duhet të mbrojnë atdheun e tyre.

“Fëmijët dhe gratë mund të shoqërohen deri në kufi nga burrat. Por, sipas ligjit çdo burrë ukrainas nga 18 deri më 62 vjeç duhet të rikthehet në vend sipas ligjit. Pavarësisht përpjekjeve për të korruptuar askush nga kjo kategori nuk është lejuar ta lërë Ukrainën. Janë rikthyer të gjithë dhe nuk është lënë askush që ta lërë vendin”.

Aleksandër Finer, vullnetar

Rikthimet në atdhe dhe vullnetarët

Qytetarët që largohen nga Ukraina janë të shumtë, por s’janë të pakët edhe ata që i bashkohen vullnetarisht frontit të rezistencës.

Shtetas ukrainas dhe jo vetëm i drejtohen në këmbë kufirit.

“Nuk e di ku do shkoj, do shkoj do hyj brenda në Ukrainë dhe do shoh ca do të më thonë se ku duhet të paraqitem për të luftuar”, thotë një ukrainas.

“Jam nga Gjermania dhe shpresoj që Putini të shkojë në shtëpi dhe ne të kemi paqe në botë. Do të luftoj për Ukrainën”, shprehet një tjetër.

Vendimi për ta braktisur familjen për të luftuar nuk ka qene aspak i lehtë.

Refugjatët jo ukrainas

Agresioni ushtarak Rus nuk ka prekur vetëm ukrainasit, por edhe refugjat nga vendet e tjera si Lindja e Mesme dhe Afrika. Këta nuk kanë të njëjtin status të privilegjuar si ukrainasit.

“Jam nga Algjeria, por banoj e studioj në Kiev. Ka qenë një rrugëtim i vështirë deri këtu. Nga Kievi deri në LVIV erdhëm me tren, e më pas morëm taksinë. Taksia na la larg kufirit, për shkak të radhës dhe kemi ecur për të paktën 40 kilometra. Ishin shumë njerëz. Kemi kaluar 2 net jashtë”.

“Ishin dy radhë, njëra me ukrainas që kalonin lehtësisht dhe radha tjetër me të huaj, që ishte goxha e ngarkuar. Kishte algjerianë, afrikanë, indianë. Ka patur dhunë… ushtria ukrainase u tregua e keqe me ne… Nuk e di pse…”

Kalimi u kufirit për ta është një odise e parë. E dyta, është pritja e familjareve në territorin polak.

“Situata është e vështirë se refugjatët ecin përreth 100-150 kilometra me këmbë. Ne u ofrojmë ushqim, akomodim, transportim dhe ndihmë mjekësore. Ka patur gra shtatzëna, të cilat kanë ecur për kilometra të tëra në këmbë. Ka patur njerëz të dhunuar. Por, me kalimin e fluksit të madh, situata duket sikur është përmirësuar disi”.

Grupe vullnetare nga e gjithë bota kanë ardhur për të ndihmuar këta qytetar ku fati nuk i buzëqeshi. Lufta i ndërpreu në mes ëndrrat e tyre.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu