Rusia pretendon marrjen nën kontroll të qytetit Kherson, sulmohet ndërtesa e policisë në Kharkiv

Përditësuar më: 2/3/2022, ora 10:46
ndertesa epolicise 1280x720

Rusia pretendon marrjen nën kontroll të qytetit Kherson, sulmohet ndërtesa e policisë në Kharkiv

Përditësuar më: 2/3/2022, ora 10:46

Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se trupat e saj tani kanë pushtuar qytetin jugor të Ukrainës, Kherson, raporton BBC.

Nëse qyteti ka rënë, ky do të ishte qyteti më i madh në Ukrainë që është kapur nga forcat ruse deri më tani.

Gjatë natës, ne raportuam se trupat ruse ishin parë në rrugët e qytetit dhe se kryetari i bashkisë tha se stacioni i trenit dhe porti i Khersonit ishin kapur.

Sulmohet ndërtesa e policisë në Kharkiv

Agjencia e lajmeve UNIAN raporton se një sulm me raketë në Kharkiv ka goditur ndërtesën e departamentit rajonal të policisë në qytet.

Një video e postuar në kanalin Telegram të një këshilltari të qeverisë ukrainase tregon një ndërtesë të përfshirë nga flakët.

Anton Geraschenko, një këshilltar i Ministrit të Brendshëm të Ukrainës, thotë se një ndërtesë që i përket Universitetit Kombëtar Karazin përballë rrugës është gjithashtu e ndezur pas sulmit.

BBC raporton se ende nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur videon.

Ndërkohë të paktën 21 persona u vranë dhe 112 u plagosën në bombardimet e qytetit të dytë më të populluar të Ukrainës, Kharkiv, tha kryebashkiaku i qytetit.

Megjithatë, guvernatori i Administratës Shtetërore Rajonale të Kharkiv tha se të gjitha sulmet ruse “u zmbrapsën” dhe pozicionet u mbajtën, pavarësisht bombardimeve të rënda të Kharkiv të martën dhe gjatë natës.

Guvernatori Oleh Synegubov tha se “armiku rus pësoi humbje të konsiderueshme”.

Kuptohet se trupat ruse hynë në sektorët verilindorë dhe veriorë të qytetit, ndërsa Kharkiv u godit nga artileria reaktive.

Civilë të vrarë në një sulm në Zhytomyr

Ukraina thotë se një sulm raketor rus gjatë natës ka vrarë të paktën dy persona në qytetin Zhytomyr, i cili shtrihet 120 km (75 milje) në perëndim të Kievit.

Sulmi, që synonte një bazë ajrore në qytet, goditi shtëpitë e banimit aty pranë.

Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës ka shkruar në Twitter se të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë janë plagosur. Një zyrtar qeveritar, Anton Gerashchenko, kishte thënë më herët në llogarinë e tij në Telegram se numri i të vdekurve ishte edhe më i lartë.

“Deri më tani, katër persona kanë vdekur, duke përfshirë një fëmijë”, tha ai.

Llogaritë e qeverisë së Ukrainës në Facebook dhe Telegraph kanë shpërndarë një video për të cilën ata thanë se ishte nga pasojat e shpërthimit. Pamjet tregojnë shpëtimtarët që po përpiqeshin të nxirrnin të mbijetuarit nga rrënojat.