“Do të gjejmë zgjidhje”, Lavrov: Gati për dialog, por çarmatosja e Ukrainës do të ndodhë

Përditësuar më: 3/3/2022, ora 16:32

“Do të gjejmë zgjidhje”, Lavrov: Gati për dialog, por çarmatosja e Ukrainës do të ndodhë

Përditësuar më: 3/3/2022, ora 16:32

Nuk kemi dyshime se do gjendet një zgjidhje për krizën në Ukrainë, por dialogu i Rusisë me perëndimit duhet të bazohet tek respekti reciprok. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, gjatë një fjalimi televiziv ditën e enjte.

“Zgjidhja mund të gjendet nuk kam dyshime. Kushtet që janë minimale për ne, dihen mire”, tha Lavrov.

Por ndërsa lë të hapur shtegun e diplomacisë, Lavrov thotë se operacioni ushtarak do të vijojë deri në përmbushjen e qëllimit të Rusisë, që është çarmatosja e Ukrainës. Sipas tij, Ukraina nuk është e pavarur por merr urdhra nga Uashingtoni.

“Ne jemi të gatshëm të flasim por do të vazhdojmë operacionin ushtarak. Nuk mund t’i lejojmë infrastrukturën që kërcënon sigurinë e federatës ruse, në Ukrainë. Çmilitarizimi, domethënë shkatërrimi i infrastrukturës që na kërcënon ne, do kryhet deri në fund. Edhe nëse nënshkruajmë një traktat paqeje duhet të përfshijë një pikë të tillë”.

Ai akuzoi liderët perëndimorë se ishin fiksuar tek lufta bërthamore, duke thënë se ajo është në kokën e tyre e jo të Moskës.

“Ne nuk do të lejojmë që provokimet të na bëjnë të humbim ekuilibrin. Po ata që duan të nisin një luftë të plotë kundër nesh duhet ta mendojnë. Mendoj se këto plane po ideohen tani”.

Lavrov mohoi se Moska po shënjestrënte civile dhe akuzoi Ukrainën se po i përdorte njerëzit si mburojë dhe nuk po i lejonte ata të largoheshin.