“Po planifikonim pushimet, por tani jemi gati të luftojmë”. Banorët tregojnë për A2 CNN jetën në Lviv

Përditësuar më: 8/3/2022, ora 14:49

“Po planifikonim pushimet, por tani jemi gati të luftojmë”. Banorët tregojnë për A2 CNN jetën në Lviv

Përditësuar më: 8/3/2022, ora 14:49

Edhe pse lufta nuk e ka goditur ende si Kievin, Kharkivin, apo qytete të tjera të Ukrainës, Lviv mbetet një pikë strategjike për ushtrinë e Ukrainës, nga ku merret edhe pjesa më e madhe furnizimeve. Gazetari i A2 CNN, Jul Kasapi, raporton se mediat nuk lejohen të filmojnë në të gjithë qytetin, por vetëm objekte civile dhe zona kulturore. Kjo, për të shmangur lokalizimin dhe bombardimin e tyre nga rusët.

Banorë të qyteteve të tjera janë dyndur në Lviv, për të kaluar më pas në kufirin drejt Polonisë. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuar, mbi 1 milion persona kanë lënë Ukrainën deri tani, një javë pas nisjes se pushtimit rus, gjysma prej tyre të drejtuar në Poloni.

Por pjesa më e madhe e qytetarëve të Lvivit vijojnë të jetojnë aty dhe nuk kanë ndërmend të largohen. “Ishte shumë e frikshme kur morëm vesh një javë më parë se kishte nisur lufta, por tashmë nuk jemi edhe aq të frikësuar”, tregon për A2 CNN Yuri, një banor i Lvivit. “Njerëzit janë gati të luftojnë, të dhurojnë, të dalin vullnetarë dhe të mbështesin ushtrinë ukrainase. Deri dje, ishim duke planifikuar pushimet, por tashmë ëndrrat janë shuar dhe nuk e dimë sa do të zgjasë kjo luftë”.

Rusia ka intensifikuar sulmin e saj në Ukrainë, të nisur prej një jave tashmë. Moska pretendon se ka marrë kontrollin e disa qyteteve, në jug të vendit, por ende nuk ka mundur të futet në Kiev, ku rezistenca e ukrainasve vijon të jetë e madhe. Një ditë më parë, Rusia u detyrua të pranonte se ka humbur rreth 500 ushtarë deri tani, shifër që vlerësohet të jetë disa herë më e lartë nga zyrtarët perëndimore. Vetë Ukraina thotë se janë rreth 6000 ushtarët rusë të vrarë.