Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Drama e dyfishtë, lufta ndan për së gjalli familjet ukrainase

Nga A2 CNN
4 Mars 2022, 11:57 | Bota

635 km nga këtu ndodhet qyteti i Kievit, vend i cili po përballet me luftimet më të ashpra, pasojat e së cilës dallohen ende këtu.

Frika se çfarë ka kaluar nuk duket në metrat e parë të përshkrimit të kufirit. Por sytë janë pasqyra e shpirtit, që dëshmonin qartë drobitjen e tij. Olena mori vajzën për t’i shpëtuar ushtarëve rusë, por prapa krahëve la bashkëshortin. “Kam lënë pas bashkëshortin tim. Është shumë e vështirë largimi nga vendi. Këtu me mua është vajza ime. Na thanë se do të sulmonin qytetin dhe vendosëm të iknim”, tregon ajo për A2 CNN.

Olena mori vajzën për t’i shpëtuar ushtarëve rusë, por prapa krahëve la bashkëshortin

Frikën, Natalisë, nuk mund t’ia fshehë as buzëqeshja e saj. Në Ukrainë ka lënë vëllain, me të cilin nuk po lidhet dot. “Kam lënë gjithçka pas, nuk mund të qëndroja më aty. Mora ç’të mundja dhe ika. Do të qëndroj te disa të afërm të mi në Poloni, me shpresën se gjithçka do të përfundojë. Vëllai im është 27 vjeç dhe e bënë pjesë direkte të rezistencës. Nuk kam mundur të kontaktoj me të”, thotë ajo.

Dashuria e vajzave për babain është e shenjtë, po kaq i shenjte është edhe besimi i Julias që lufta do të përfundojë shpejt dhe ajo do të mund të rikthehet sërish në Ukrainë. “Babai im është 50 vjeç. Në të shkuarën ka luftuar në Afganistan, por kishte vite që i kishte dorëzuar armët. Tani i thanë se duhet të luftonte përsëri. Kam besim që lufta do të përfundojë shpejt dhe unë do të rikthehem përsëri në jetën time”, tregon ajo.

Gazetari i A2 CNN, Ervin Koçi, duke raportuar nga kufiri mes Ukrainës dhe Polonisë

Sfidat e Anës nuk kanë përfunduar ende. Ndonëse e moshuar, tashmë ajo duhet të jetojë me frikën se mund të mos e shohë më djalin e saj. “Dje na thanë se Bjellorusia do të na sulmonte dhe menjëherë mora nipërit e mbesat dhe u largova. Kam vendosur të shkoj në Itali. Më pikëllon në zemër, pasi kam lënë djalin tim, i cili ka vendosur të mbrojë atdheun. Ne kemi kohë që kërkonim ndihmë, por askush nuk na dëgjonte. Për Putin, ne nuk jemi njerëz”.

Ana, e moshuara ukrainase që ka lënë pas djalin, për të mbrojtur vendin nga pushtimi rus

Agresioni rus është një drame me dy akte për gratë ukrainase. Krahas largimit nga vendi, ato kanë lënë pas edhe të afërmit e tyre, motra të vëllanë, bashkëshortja burrin dhe nëna djemtë e saj.

https://a2news.com/2022/03/03/te-mbledhur-ne-shesh-duke-degjuar-himnin-kombetar-pamje-emocionuese-nga-lvivi/
https://a2news.com/2022/03/03/po-planifikonim-pushimet-por-tani-jemi-gati-te-luftojme-banoret-tregojne-per-a2-cnn-jeten-ne-lviv/

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani