“Gjërat do të përkeqësohen”, Stoltenberg: Nuk kërkojmë luftë me Rusinë

Përditësuar më: 4/3/2022, ora 14:34
jens stoltenberg 1080x720

“Gjërat do të përkeqësohen”, Stoltenberg: Nuk kërkojmë luftë me Rusinë

Përditësuar më: 4/3/2022, ora 14:34

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se me shumë gjasa gjërat në ditët në vijim në Ukrainë, do të përkeqësohen, pasi trupat ruse parashikohet të dërgojnë aty armatime të rënda për të vijuar sulmin.

Në një konference për mediat, pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s, norvegjezi e përshkroi pushtimin e Ukrainës si “agresionin më të keq ushtarak në Europë prej dekadash”.

Megjithatë, ai tha se NATO mbetet një aleancë “mbrojtëse”. “Detyra jonë bazë është që ta ruajmë 30 shtetet anëtare. Nuk jemi pjesë e këtij konflikti dhe kemi përgjegjësinë që të sigurojmë që të mos përshkallëzohet përtej Ukrainës. Kjo do të ishte më shkatërruese dhe më e rrezikshme, me më shumë vuajtje njerëzore”.

Norvegjezi tha se ministrat e Jashtëm të pranishëm në takim, diskutuan për mbylljen e hapësirës ajrore të Ukrainës, por ranë dakord që mbi qiejt e saj, nuk duhet të fluturojnë avionë të NATO-s.

Ai dënoi edhe një herë sulmin në centralin bërthamor Zaporizhzhia, çka sipas tij vë në dukje edhe një herë rreziqet e kësaj lufte. “Nuk mund të kryesh operacione ushtarake në një impiant bërthamor”, tha Stoltenberg.