Mbi 2 mijë viktima në Kharkiv, mes tyre 100 fëmijë. Raketa ruse shkatërron shkollën në Zhytomyr

Përditësuar më: 4/3/2022, ora 13:09
shkolla 2 1280x720

Mbi 2 mijë viktima në Kharkiv, mes tyre 100 fëmijë. Raketa ruse shkatërron shkollën në Zhytomyr

Përditësuar më: 4/3/2022, ora 13:09

Më shumë se 2 mijë viktima, mes tyre mbi 100 fëmijë janë regjistruar në qytetin Kharkiv. Lajmi është konfirmuar nga presidenti i Këshillit Rajonal të Kharkivit, gjatë një videokonference në samitin e rajoneve në zhvillim në Marsejë.

“Dje numëruam më shumë se 2000 vdekje, mbi 100 fëmijë. Ne mund të llogarisim vdekjet dhe lëndimet me qindra, çdo orë. Fshati Lakevo në zonën e Kharkivit u shkatërrua, ka shumë vdekje në këtë zonë”.

Ai njoftoi se po organizon punën e koordinimit në qendrën tonë rajonale, duke u kujdesur për refugjatët në zonën e Kharkiv, si edhe duke organizuar dërgesat e ilaçeve dhe ushqimeve.

Ndërkohë, një shkollë në Zhytomyr, në Ukrainën veriore, u godit nga një raketë ruse, të premten në mëngjes, sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Pamjet pas sulmit tregojnë dëme të konsiderueshme dhe shembje të pjesshme të ndërtesës.

Në një deklaratë në video, kryebashkiaku i Zhytomyr, Sergei Sukhomlin, konfirmoi sulmin duke thënë se sulmuesit rusë “nuk ndalen para asgjëje. Kjo është një shkollë. Përkundrazi, këto rrënoja janë një ish-shkollë në qytetin ukrainas të Zhytomyr”, tha ai.

Lajmi vjen pasi të paktën tre shkolla në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, u goditën nga sulmet ushtarake ruse të martën, sipas videove dhe fotove të postuara në mediat sociale.

Ndërtesa të tjera që janë raportuar si të shkatërruara gjatë pushtimit rus të Ukrainës, përfshijnë vende kulturore si kisha, katedrale dhe muze, përkatësisht në qytetet Kiev dhe Kharkiv, sipas deklaratës nga Ministria e Kulturës dhe Politikës së Informacionit të Ukrainës.