Punonjësit me armë në kokë, sulmi në impiantin bërthamor në Ukrainë
Tre ushtarë të Ukrainës humbën jetën dhe 3 të tjerë mbetën të plagosur gjatë luftimeve me forcat ruse për kontrollin e territorit përreth impiantit bërthamor të Zaporizhzia.
Teksa pretendohet se është shkatërruar një tank rus. Megjithatë ,ushtria e Moskës mori kontrollin e centralit nuklear më të madh në Europë. CNN raporton se punonjësit në Zaporizhzia po punojnë nën kërcënimin e armëve. Asnjë prej tyre nuk është lënduar gjatë luftimeve. Përpara se beteja të niste, ushtria e Moskës lëshoi disa sulme ajrore në centralin nuklear më të madh të Europës. Kjo bëri që një qendër trajnimi të shkrumbohej nga flakët. Zjarri shpërtheu në 02:30 të orës lokale, gjë e cila alarmoi gjithë botën mes frikës se mund të përsëritej një katastrofë e ngjashme me atë të Çernobilit në vitin 1986. Kievi thotë se u shmang një fatkeqësi që do të shkatërronte Europën.
“Forcat ruse sulmuan impiantin më të madh bërthamor në Europë, Zaporizhzia. Mund të ishte sa gjashtë Çernobilë. Tanku rus dhe ushtarët e dinin çfarë po bombardonin, pasi goditën nga një rreze e vogël. Ky është terror në një nivel të ri. Ukraina ka 15 impjante bërthamore dhe rusët, ushtria ruse kanë harruar Çernobilin dhe këtë tragjedi botërore”, u shpreh Zelensky.
Fatmirësisht flakët janë shuar. I pozicionuar në Enerhodar në Ukrainën lindore, centrali përmban 6 prej 15 reaktorëvë përenergjinë bërthamore në vend. Agjencia ndërkombëtare për energjinë bërthamore tha se struktura ishte e paprekur dhe se nivelet e radioaktivitetit ishin brenda normës. Liderët botërorë reaguan të alarmuar duke akuzuar Rusinë se kishte rrezikuar sigurinë e të gjithë kontinentit. Kryeministri Boris Johnson, i cili ka kërkuar mbajtjen e një takimi të këshillit të sigurimit tha se sulmi i rrezikshëm mundtë kërcënojë direkt sigurinë e të gjithë Europës. Presidenti amerikan Joe Biden i bëri thirrje Moskës të ndalë aktivitetet ushtarake rreth zonës, ndërsa lideri kanadez Justin Trudeau tha se sulmet e tmerrshme të Rusisë duhet të rreshtin menjëherë. Të tre liderët folën ne telefon me presidnetin ukrainas VolodimirZelenski.