Zjarri në centralin bërthamor në Ukrainë, ushtria ruse e cilëson provokim të Kievit

Përditësuar më: 4/3/2022, ora 14:04
igori 1280x720

Zjarri në centralin bërthamor në Ukrainë, ushtria ruse e cilëson provokim të Kievit

Përditësuar më: 4/3/2022, ora 14:04

Rusia i ka konsideruar provokim të Kievit luftimet pranë centralit bërthamor në Zaporizhzhia. Në një videokonferencë, zëdhënësi i ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjeneralmajor Igor Konashenkov tha se ukrainasit i vunë qëllimisht zjarrin ndërtesës së stërvitjes. Sipas tij, forcat ruse morën qytetin Enerhodar, centralin bërthamor të Zaporizhzhia dhe territorin pranë tij.

“Personeli ushtarak i Gardës Kombëtare të Ukrainës që ruante termocentralin, u largua nga objekti dhe u zhduk në një drejtim të panjohur përpara mbërritjes së njësive ruse”, tha ai. Objektet e stacionit dhe territori ngjitur u morën në ruajtje nga personeli ushtarak rus.

Konashenkov pretendoi se stafi teknik i uzinës vazhdoi punën në objekte, por forcat ukrainase tentuan një “provokim monstruoz”, në orët e hershme të mëngjesit të së premtes.

“Më 4 mars, rreth orës 02:00, ndërsa patrullonte një zonë të mbrojtur ngjitur me termocentralin bërthamor Zaporizhzhia, një patrullë e lëvizshme e Gardës Ruse, u sulmua nga një grup sabotues ukrainas. Zjarri nga armët u përhap nga dritaret e disa kateve të kompleksit stërvitor që ndodhet jashtë termocentralit”, tha Konashenkov.

Ai shtoi se brigadat e zjarrfikësve, mbërritën në ndërtesë dhe e shuan zjarrin.

“Në momentin e provokimit, asnjë nga punonjësit me kohë të plotë të centralit, nuk ndodhej në godinën e trajnimit. Aktualisht, stafi i TEC Zaporizhzhya (centrali bërthamor) vazhdon të punojë si zakonisht, mirëmban objektet e termocentralit dhe monitoron situatën radioaktive. Sfondi radioaktiv në zonën e termocentralit është normal”, theksoi Konashenkov.

Më herët, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dënoi sulmin e Rusisë në centralin bërthamor dhe paralajmëroi për rreziqet që lidhen me sulmet ndaj objekteve bërthamore.

Konashenkov pohoi se deklaratat dhe komunikimi i Zelenskit për incidentin nuk lënë asnjë dyshim. “Qëllimi i provokimit të regjimit të Kievit në një objekt bërthamor është një përpjekje për të akuzuar Rusinë për krijimin e një burimi kontaminimi radioaktiv”.

Qeveria ruse ka pretenduar në mënyrë rutinore dhe pa prova se qeveria ukrainase po organizon “provokime”, për të provokuar një përgjigje ushtarake nga qeveritë perëndimore.