Drama e një lufte, nëna dhe fëmijë që largohen nga “kthetrat e ferrit”

Përditësuar më: 5/3/2022, ora 19:27

Drama e një lufte, nëna dhe fëmijë që largohen nga “kthetrat e ferrit”

Përditësuar më: 5/3/2022, ora 19:27

Në stacionin e trenit në Lviv, askush nuk e di se kur do të nisen për në Poloni, por të gjithë, nëna, fëmijë e të moshuar, presin në temperatura nën zero gradë.

Lajmërimet e befasishme kanë bërë që të gjithë të kalojnë shinat e platformave në kërkim të udhëtimeve të shpëtimit.

Një djalë luan himnin kombëtar të Ukrainës, si për të rikujtuar dhe një herë se vendi i tij nuk dorëzohet. Por imazhet e fëmijëve, të pangrënë, duke qëndruar prej ditësh në terminal, tregojnë një tjetër realitet.

Kjo familje arriti të dilte nga Kharkiv. “Jemi nga Kharkiv dhe sapo kemi arritur. Kemi sjellë të gjitha gjërat tona. Kemi qëndruar në bodrume bashkë me fëmijët tanë që qanin. Faleminderit vullnetarëve burra dhe gra, faleminderit shumë. Nuk do të harrojmë kurrë. Lavdi Ukrainës dhe heronjve tanë. Në do të fitojmë. Burri im refuzoi të lërë Kharkivin. Ai tha se do të vdesë në shtëpi. Të gjithë u larguam, por ai qëndroi në shtëpi. Të gjithë njerëzit janë të frikësuar. Ishte e vështirë të  udhëtoje drejt stacionit të trenit këtu në Lviv”, shprehet një ukrainase.

Por dhimbja është më e madhe. “Po ai është djali im! Tani ne duam të qëndrojmë këtu të qetësohemi, të lahemi të ndërrojmë rrobat, nuk kemi asgjë.  Do të shohim dhe ndoshta do të mendojmë më pas për të lëvizur jashtë kufirit.  Kemi jetuar 6 ditë në bodrum. Nuk ja uroj askujt ta përjetojë këtë gjë. Ishim rreth 20  veta në bodrum, ndanim ushqimin dhe ishim miqësor më njëri-tjetrin. Nuk mund ta linin strehimin pasi dëgjonin të shtëna gjatë gjithë kohës”, tregon një nënë e re mes lotësh.

Bashkimi me të afërmit duhej të nënkuptonte lot gëzimi, por nuk është kështu për të gjithë. “Është ferri vetë. Nuk e kam më shtëpinë tine. Kjo është vajza ime, e cila po qan. Nuk kemi rroba, asgjë. Shpëtuam fëmijët, macen qenin tonë. Nuk kemi asgjë. Qyteti ynë u shkatërrua. Qyteti më i bukur tashmë është i shkatërruar. Burri im në Gjermani po punonte kur lufta filloi dhe ai nuk mund të vinte dhe ne mbetëm të bllokuar në Kharkiv nuk mund të largoheshim”, rrëfehet një tjetër ukrainase.

Prej më shumë se një jave, Rusia vijon bombardimet ndaj Ukrainës, ndërsa objektiva të raketave janë bërë dhe rezidencat e qytetarëve shkollat, qendrat shëndetësore, por edhe gazetarët.