Kërcënon Putin: Kushdo që vendos të mbyllë qiellin e Ukrainës do të konsiderohet i përfshirë në konflikt

Përditësuar më: 5/3/2022, ora 21:04

Kërcënon Putin: Kushdo që vendos të mbyllë qiellin e Ukrainës do të konsiderohet i përfshirë në konflikt

Përditësuar më: 5/3/2022, ora 21:04

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Moska do të konsiderojë si të përfshirë në konflikt çdo shtet që vendos të mbyllë qiellin e Ukrainës.

“Në çdo momet që ky vendim do të merret, do të konsiderohet nga ne si pjesëmarrje në një konflikt të armatosur, nuk ka rëndësi se cilës organizate i përkasin”, tha lideri rus gjatë një takimi me punonjësit e kompanisë ajrore Aeroflot të shtunën.

Vendosja e zonës së ndalim-fluturimit “do të sillte pasoja kolosale dhe katastrofike jo vetëm për Europën, por për të gjithë botën”, tha Putin.

Një ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se ministrat e Jashtëm të aleancës, të pranishëm në një takim të jashtëzakonshëm, diskutuan për mbylljen e hapësirës ajrore të Ukrainës, por ranë dakord që mbi qiellin e saj, nuk duhet të fluturojnë avionë të NATO-s.

Më herët, Presidenti rus tha se sanksionet e vendosura nga Perëndimi janë të ngjashme me shpalljen e luftës. Ai tha se Moska duhet të mbrojë popullsinë rusishtfolëse në lindje të Ukrainës, si edhe interesat e veta. Ai përsëriti edhe një herë deklaratat se Ukraina duhej demilitarizuar dhe denazifikuar. Gjithashtu, Putin tha se nuk kishte ndërmend të shpallte ligjin e luftës në Rusi.