Libraria e kthyer në “fabrikë” kamuflazhi

Përditësuar më: 8/3/2022, ora 14:52

Libraria e kthyer në “fabrikë” kamuflazhi

Përditësuar më: 8/3/2022, ora 14:52

Të ndihmosh në Ukrainë nuk është e thënë të regjistrohesh për në vijën e parë të frontit. A2 CNN ka hyrë në një tjetër front lufte, ku ndihmohet në një formë ndryshe. Godina ka qenë më parë një librari. Ashtu si në kohë lufte, të gjithë mbajnë afër radiot për të mësuar më shumë lidhur me situatën dhe fatin e familjeve të tyre.

Disa nga gratë që gjenden brenda kësaj librarie, të shndërruar tashmë në një “pikë prodhimi” për rrjetat e kamuflazhit, shprehen se nuk kanë asnjë kontakt me të afërmit e tyre, por gjithsesi po përpiqen me çdo mundësi për të ndihmuar qytetarët dhe ushtarët.

Brenda librarisë ku prodhohen rrjeta kamuflazhi

“Kushërira ime me foshnjën e saj, janë në zonat ku luftohet, nuk kemi asnjë kontakt. Dëgjoj gjatë gjithë kohës lajmet, për të mësuar se çfarë po ndodh atje. Disa ditë më parë kemi folur, por tani nuk kemi më asnjë mundësi të lidhemi dhe të di si janë.”

“Marrim lloje dhe masa të ndryshme veshjesh, i presim dhe më pas këto copa i bëjmë rrjeta kamuflazhi për ushtrinë.”

“Për një javë kemi bërë 67 rrjeta kamuflazhi. Janë të masave të ndryshme, varet nga qëllimi që kryejnë. Ndonjëherë duhen rrjeta të vogla, por ndonjëherë nevojiten rrjeta të mëdha.”

Librarisë i janë bashkuar edhe vullnetarë të shumtë. Ndër to, edhe një 17-vjeçar, i cili na njeh që jemi nga Shqipëria.

“Jam 17 vjeç dhe po bëjmë rrjeta kamuflazhi për ushtrinë tonë. Kam ardhur prej pesë ditësh, por kjo është dita e parë që po punoj këtu si vullnetar. Studioj në universitet, por të gjitha shkollat në vendin tonë janë mbyllur.”

Ashtu si në fabrikën e molotovëve edhe këtu një pedagoge i është bashkuar vullnetarëve.

“Jam nga Berdansk, një qytezë e vogël në detin Azov, që tashmë është pushtuar nga agresorët rusë. U bëra refugjate dhe erdha në Lviv nga Zaporizhia me trenin e evakuimit. Erdha në këtë qendër vullnetarësh, për të ndihmuar ushtrinë tonë. Kam shumë eksperiencë në punën e vullnetarit, të paktën prej vitit 2014. Jam profesoreshë në Universitetin e Berdanskut dhe aty kemi projekte vullnetarësh, prej vitesh kemi përgatitur rrjeta kamuflazhi. Jam solidarizuar me vullnetarët. Kam mbërritur në Lviv me djalin, ndërsa bashkëshorti po tenton të bashkohet me forcat që mbrojnë vendin.”

Gratë dhe vullnetarët duke punuar

Vullnetarëve i janë bashkuar edhe shtetas të huaj. Një i ri nga Amerika, thotë se po përpiqet të japë ndihmën e vet dhe i vendosur shprehet se do të qëndrojë në Ukrainë, derisa Rusia të largohet.    

“Jam nga Çikago, Ilinoi. Bashkëshortja ime është nga Ukraina dhe jemi takuar në Kinë, ku punonin si mësues. Erdhëm këtu në pritje të procedurave të vizës amerikane. Po mundohem të jap edhe unë ndihmën time. Vendosëm të qëndrojmë në Ukrainë derisa Rusia të largohet. Ne nuk largohemi pa u larguar ushtarët rusë.”

Të gjithë i janë bashkuar luftës secili me mënyrën e tij. Disa janë detyruar të marrin fëmijët aty ku prodhojnë pajimet për ushtrinë. Ndërsa, disa të tjerë nuk kanë fjalë, por këndojnë për shpresën dhe lirinë e vendit të tyre.