“Jemi gati për çdo kërcënim”, Blinken: Neni 5 i traktatit të NATO është i shenjtë për SHBA

Përditësuar më: 7/3/2022, ora 14:52

“Jemi gati për çdo kërcënim”, Blinken: Neni 5 i traktatit të NATO është i shenjtë për SHBA

Përditësuar më: 7/3/2022, ora 14:52

Shtetet e Bashkuara e kanë të shenjtë angazhimin ndaj nenit 5 të traktatit të NATO-s, se një sulm kundër njërit është një sulm kundër të gjithëve. Këtë tha të hënën, Sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken, gjatë vizitës së tij në Lituani. Askush nuk duhet të dyshojë në gatishmërinë tonë për të reaguar ndaj një sulmi të mundshëm, paralajmëroi Blinken.

“Angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj nenit 5 të NATO-s, pra se një sulm kundër njërit është një sulm kundër të gjithëve, është i shenjtë për ne. Siç përsëriti edhe presidenti amerikan në fjalimin për gjendjen e vendit pak ditë më parë do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s në rastin e një sulmi”, tha Anthony Blinken, Sekretar i Shtetit.

Shtetet e NATO-s kanë shtuar praninë e trupave në vendet baltike gjatë javëve të fundit, ndërsa përforcime të tjera priten gjatë ditëve në vazhdim. Blinken paralajmëroi edhe shtim të trupave në mision të përhershëm në këtë rajon, me qëllim forcimin e mbrojtjes në kahun lindor.

“Po rishikojmë vazhdimisht pozicionin tonë të mbrojtjes brenda NATO-s, duke vlerësuar zgjerimin e forcave, e po ashtu të misioneve të përhershme”, tha Blinken.

Sa i përket ndikimit të sanksioneve kundër Rusisë, Blinken tha se zhvlerësimi i rublës, eksodi i kompanive të mëdha dhe kontrollet në eksporte nënkuptojnë se Moska do të ketë gjithmonë e më të vështirë të modernizojë sektorë të ndryshëm.