Raporti i inceneratorëve, nuk miratohet versioni i PD. Tabaku presion SPAK: Mosveprimi ju bën bashkëpunëtor

Përditësuar më: 29/3/2022, ora 11:37

Raporti i inceneratorëve, nuk miratohet versioni i PD. Tabaku presion SPAK: Mosveprimi ju bën bashkëpunëtor

Përditësuar më: 29/3/2022, ora 11:37

Pa surpriza u mbyll hetimi parlamentar për inceneratorët. Mazhoranca nuk pranoi qëndrimet e opozitës se është bërë afera e shekullit, duke i futur akuzat si mendim pakice. Pavarësisht kësaj, opozita kërkoi nga SPAK që të vijojë hetimet. 

Rezultati i zgjedhjeve të 6 marsit mund t’i ketë dhembur më shumë se çdo herë Partisë Demokratike, por kjo nuk e pengoi të vijonte agjendën politike. Opozitarët e spostuan vëmendjen te komisioni hetimor për inceneratorët, duke ripërsëritur qëndrimin se kjo është vjedhja e shekullit.

“Raporti prej 120 faqesh që do t’i paraqesim Kuvendit të Shqipërisë, zbardh të plotë aferën më korruptive, më kriminale dhe më të paligjshme në 30 vite: vjedhjen e 430 milionë euro nga një grusht njerëzish, pushtetarë dhe me lidhje të forta korruptive”, deklaroi Tabaku.

“Akuzat e opozitës janë veçse shpifje!”, u shpreh Felaj.

Shifra prej 430 milionë eurosh që u kthye në kryefjalë të hetimit parlamentar për shumicën është diçka surreale, ndërsa opozita kërkon nga organi i akuzës akuza që të vijojë hetimet.

 “Shuma prej 430 milionë euro e supozuar si abuzim i shekullit nuk ekziston. U provua se shifra prej 430 milionë euro është e pavërtetë dhe pati si qëllim të vetëm keqinformimin e publikut”, tha Felaj.

“Tani topi është në fushën tuaj. Sot drejtësia ka në dorë që të zbardhë këtë aferë. Mosveprimi i tyre do t’i bëj pjesë të kësaj afere kriminale”, u shpreh Tabaku.

Në finale, raporti i opozitës nuk u miratua për t’i kaluar për votim seancës plenare pasi votat në komision i kishte mazhoranca çka bëri që akuzat për aferën e shekullit të shkojnë si mendim pakice.