Rezultati i zgjedhjeve, Salianji: Basha e ka humbur mbështetjen, barrë e rëndë për opozitën

Përditësuar më: 8/3/2022, ora 13:59
salianji 1 1024x606

Rezultati i zgjedhjeve, Salianji: Basha e ka humbur mbështetjen, barrë e rëndë për opozitën

Përditësuar më: 8/3/2022, ora 13:59

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, është rreshtuar në listën e zërave brenda demokratëve që bëjnë fajtor kryesor Lulzim Bashën për rezultatin katastrofik në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji shprehet se tashmë Lulzim Basha e ka humbur mbështetjen dhe është  barrë e rëndë për opozitën.

“Kandidatët e PDSH në 6 bashki ishin demokratë dinjitozë, ata bashkë me demokratët bënë çdo përpjekje, por fryma popullore ishte mesazh i qartë për çdo demokrat. Opozita u dëmtua dhe mori më pak se gjysmën e votave që grumbulloi më 25 Prill, bojkoti i votuesve tregoi krizën e besimit tek opozita. Të gjithë kanë përgjegjësi për këtë situatë, përgjegjësia kryesore është te kryetari i partisë.

Personalisht kam bërë beteja të ashpra duke rriskuar gjithçka, kam luftuar fort për të ndihmuar që Partia Demokratike të vijë në pushtet.

Kam bërë beteja që Lulzim Basha të jetë kryetar i Partisë Demokratike, sepse kam menduar që ishte rruga e duhur që PDSH të vijë në pushtet!

Sot nuk mund të mbyll sytë dhe as të fshihem, duhet ta lexojmë realitetin duke marrë çdo përgjegjësi, por përgjegjësia kryesore bie tek kryetari i partisë!

Lulzim Basha e ka humbur mbështetjen, fatkeqësisht si kryetar partie është barrë e rëndë për opozitën!

Duhet të bëjë hap pas dhe të krijojë mundësinë që PD-ja të zhvillojë zgjedhje!

Demokratët janë fitues, nuk pranojnë të quajnë fitore vendin e tretë! Partia Demokratike do të ribëhet, forca dhe energjia e demokratëve është e pashtershme”, shkruan Salianji.