SHBA vendos embargo ndaj naftës, gazit dhe qymyrit rus

Përditësuar më: 8/3/2022, ora 19:19

SHBA vendos embargo ndaj naftës, gazit dhe qymyrit rus

Përditësuar më: 8/3/2022, ora 19:19

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosin embargo totale ndaj naftës, gazit dhe qymyrit të Rusisë. Njoftimi erdhi nga presidenti Joe Biden, i cili foli për kostot që kjo do të sjellë për qytetarët e vendit të tij. Kreu i Shtëpisë së Bardhë i konsideroi sanksionet ndaj sektorit energjetik rus si një goditje kundër makinerisë së luftës të Moskës dhe një kosto që duhet paguar për të mbrojtur lirinë. 

“Agresioni i Rusisë po na kushton të gjithëve ne. Por nuk është koha për të përfituar apo për rritje të çmimeve. Dua të jem i qartë për atë çfarë ne nuk tolerojmë”, deklaroi Biden.

Ai shtoi se SHBA kanë lëvruar mbi 1 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën në fushën e sigurisë dhe kanë garantuar mbështetje humanitare për refugjatët. Biden nënvizoi se presidenti rus, Vladimir Putin, duket i vendosur të vazhdojë rrugën e tij vrastare pa marrë parasysh koston.

“Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Putinin. Ai mund të jetë në gjendje të marrë një qytet, por kurrë nuk do të jetë në gjendje të mbajë gjithë vendin dhe nëse nuk i përgjigjemi sulmit të Putinit ndaj paqes dhe stabilitetit global sot, kostoja e lirisë, dhe për popullin amerikan, do të jetë edhe më e madhe nesër.”

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha më tej se i kupton aleatët që nuk iu bashkuan në këtë ndëshkim të radhës të Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë. Një referencë kjo për Bashkimin Europian, pasi edhe Britania e Madhe po vendos embargo ndaj importit të gazit, qymyrit dhe naftës ruse. Megjithatë Brukseli njoftoi një plan për të ndërprerë varësinë nga gazi rus.

Deri në fund të këtij viti, ne mund të zëvendësojmë 100 miliardë metër kub gaz të importuar nga Rusia. Kjo përbën dy të tretat e asaj që ne importojmë nga ata. Kjo do t’i japë fund varësisë së madhe dhe do të na japë ne hapësirën e duhur për të manovruar”, tha Frans Timmermans, komisioner i BE-së për Mjedisin.

Plani i Bashkimit Europian parashikon që deri në vitin 2030 t’i jepet fund plotësisht varësisë nga gazi dhe nafta e Rusisë.