Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Zgjedhjet e 6 marsit, kryetarët e degëve të PD në seli. Kandidati i Rrogozhinës akuza deputetëve

Nga A2 CNN
8 Mars 2022, 19:07 | Politikë
Zgjedhjet e 6 marsit, kryetarët e degëve të PD në seli.

Pas humbjes së thellë që pësoi në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur në selinë blu kryetarët e degëve dhe kandidatët demokratë në 6 bashkitë e vendit.

PD-ja doli forcë e 3-të në 5 Bashki, përveç asaj të Rrogozhinës, duke u mundur jo vetëm nga Partia Socialiste dhe Edi Rama, por edhe nga Sali Berisha që mori Bashkinë e Shkodrës me Bardh Spahinë. Basha refuzoi që këtë ta quante humbjen e radhës, duke thënë se ai "nuk kishte humbur në jetën e tij asnjë garë, por thjesht ishte përballur me masakra elektorale", ndërsa 6 marsin e quajti kurth.

Kandidati i PD-së për bashkinë Rrogozhinë, Ferdinand Saraçi i cili doli i dyti në renditje pas PS-së, mori përgjegjësinë e humbjes dhe tha se nuk ka faj Basha. Ai shigjetoi deputetët e PD-së që nuk i qëndruan në krah gjatë fushatës. Gjatë mbledhjes që po zhvillohet me dyer të mbyllura në selinë blu, Saraçi tha se PD kishte përballë qeverinë dhe foltoren dhe se në Rrogozhinë kishte shitblerje të votave.

"Kishim përballë edhe qeverinë edhe Foltoren. PS e foltorja patën të deleguar që ndanin para. Ju më dërguat disa deputetë, por vetëm Dash Sula ka qenë në krah. Pati shitblerje të votës. Kanë parë e pushtet. Foltorja e dinte se nuk kishte shanse por vazhdoi me shantazhe e blerje votash. Nuk ke faj ti që humba Rrogozhinën, mbaj përgjegjësi vetë dhe duhet të jetë përgjegjësi edhe e deputetëve që ishin. Kërkoju llogari deputetëve. Nuk vihet në fushatë për foto”.

Ndërsa nënkryetari i PD-së Lezhës Fran Frrokaj, ka deklaruar se nuk ka ndodhur që në zgjedhje të pjesshme të fitojë opozita, i cili gjithsshtu sulmoi deputetët.

“Falenderoj 6 kandidatët. Nga 6 bashki 5 kanë qenë të majta. Nuk ka ndodhur që në zgjedhje të pjesshme të fitojë opozita. Mos të shkojnë deputetët me versaçe, por të shkojnë për të punuar. Duhet të kthjellohemi e të gjykojmë”, u shpreh ai.

Kreu i degës së Mirditës Mark Ruçi, këshillon marrjen e përgjegjësive dhe strategjinë për zgjedhje.

“Duhet një strategji që të dimë si të ecim nesër në zgjedhje. Makineria e pushtetit vijon vijën e partisë së pushtetit të parë (komunizmit). Duhet të konsultohemi me njerëzit që të marrim përgjegjësi. Duhet të qetësohemi e të logjikojmë. Falënderoj kandidatët që përballuan një garë të pabarabartë”.

Ndërsa kryetari i degës së Kurbinit thotë se nuk e mendon dorëheqjen e tij dhe as të Bashës.

“Falënderoj kandidatët që e morën përsipër këtë përballje. Ku fitohet përballë këtij pushteti. Nuk e mendoj dorëheqjen time dhe as ti s'duhet të mendosh dorëheqjen”, theksoi ai.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli