Hija e Putinit pas bombave me “sheqer” dhe një fitore e larë me gjak

Përditësuar më: 9/3/2022, ora 11:57
putin cover ok 1280x720

Hija e Putinit pas bombave me “sheqer” dhe një fitore e larë me gjak

Përditësuar më: 9/3/2022, ora 11:57

Për të gjykuar vendimet e mundshme të Vladimir Putin në të ardhmen e afërt, analistë dhe gazetarë po shohin nga e shkuara e tij. Shumica e vlerësimeve lidhen me rolin e tij në KGB, si dhe vendimet me dorë të hekurt përgjatë dekadave të sundimit të tij. Por ekziston edhe një zhvillim gjakësor me shumë kënde të errëta në ngjitjen e tij drejt pushtetit, ku edhe pse jo i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me të gjitha ngjarjet, Presidenti i tanishëm rus rezulton përfituesi kryesor.

Ora po shënonte 20:30 pasdite, kur Aleksej Kartofelnikov pikasi dy burra që po fusnin ca thasë në bodrumin e ndërtesës ku banonte. Data ishte 22 shtator 1999, dhe bazuar në raportet e policisë, të raportuara nga një sërë mediash ruse dhe ndërkombëtare, qytetari rus pa se si thasët dilnin nga një makinë e bardhë, e parkuar poshtë apartamentit të tij. Kartofelnikovi, banor i Riazanit – një qytet prej mbi 500 000 banorësh dhe rreth 200 kilometra nga Moska – kuptoi se targa e veturës së regjistruar në Moskë, kishte një letër me shifra false të vendosur aty ku duhet të ishin dy numrat e fundit.

Pamje nga pjesa historike e Riazanit, Rusi

Ai njoftoi policinë, e cila pas një kontrolli në bodrumin e ndërtesës disakatëshe me shumë apartamente, zbuloi tre thasë me një pluhur të bardhë që peshonin 50 kilogramë secili, dhe një fishek çifteje të lidhur me një sahat. Ora e detonimit shënonte 05:30 të mëngjesit, kohë kur shumica e banorëve do të ishin ende duke fjetur. Një analizë e specializuar nga polica vendase, zbuloi që lënda e panjohur ishte RDX. Ky është një eksploziv i përdorur gjerësisht në Luftën II Botërore dhe me përdorim ushtarak edhe në kohët e mëvonshme. Në Rusi përdoret ende në prodhimin e disa lloje predhash të artilerisë.

Sasia prej 150 kilogramësh nënkuptonte se në mungesë të vigjilencës së Kartofelnikovit, ai vetë, të afërmit e tij dhe banorët e tjerë të ndërtesës, do të ishin vrarë në gjumë e sipër. Ky nuk ishte një incident i izoluar, dhe banorët e asaj ndërtese në Riazan ishin ndër fatlumët e paktë që i shpëtuan shëndoshë e mirë valës së sulmeve me bomba të shtatorit 1999. Gjatë kësaj periudhe, një seri shpërthimesh në zona të banuara shkaktoi mbi 300 të vrarë dhe më shumë se 1000 të plagosur në Moskë, Bujnanks dhe Volgodonsk.

Një kompleks apartamentesh në Moskë, shtator 1999, pasi një bombë shkatërroi katër kate të ndërtesës

Jelcini, Putini dhe muxhahedinët

Konteksti është gjithçka. Dhe fushata e terrorit që pushtoi Rusinë nuk mund të merret e veçuar nga lëvizjet tektonike në politikën ruse të fundit të viteve ’90. Kjo ishte periudha kur një Boris Jelcin i lodhur, i shënjestruar nga disa hetime për korrupsion dhe që kishte humbur Luftën e Parë Çeçene, 1994-1996, po peshonte një strategji daljeje nga përgjegjësitë e pushtetit.

Vladimir Putin me Boris Jelcin, më 31 dhjetor 1999, kur ky i fundit njoftoi dorëheqjen e tij

Rreth një muaj para shpërthimeve të shtatorit 1999, Vladimir Vladimiroviç Putin, ish-agjent i KGB-së me ngjitje të shpejtë në karrierën shtetërore, do të bënte hyrjen e tij në skenën e elitës politike. Më 9 gusht 1999, Putini u emërua fillimisht zëvendëskryeministër, më pas kryeministër, si dhe u përcaktua si pasardhësi favorit i Presidentit Jelcin. Të gjitha këto ndodhën brenda të njëjtës ditë me vendim të Jelcinit. Dhe brenda të njëjtës ditë, Putini ra dakord që të hynte në garën për President të Federatës Ruse.

Mbështetja popullore ndaj Putinit paraqitej fillimisht e dobët, me një parapëlqim prej vetëm 2% të votuesve. Ishte kohë ndryshimesh të mëdha, dhe me kujtimet e Bashkimit Sovjetik ende të freskëta, një ish-spiun, aparatçik komunist dhe pothuajse anonim, nuk ishte zgjedhja e parë që rusëve u shkonte ndër mend për ta bërë president.

Vladimir Putin kur ishte drejtor i FSB-së, 1998

Në të njëjtin muaj me emërimin e Putinit si Kryeministër i Federatës Ruse, xhihadistë nga Çeçenia dhe vendet arabe hynë në Dagestan, pjesë e territorit rus, duke e shpallur atë shtet të pavarur. Çeçenët kishin fituar një luftë kundër Rusisë, duke arritur pavarësinë.

Për t’i bërë një referencë të shkuarës në kontekstin e së tashmes, grupime të armatosura të ekstremit të djathtë nga Ukraina, morën pjesë në luftime përkrah xhihadistëve. Sipas një hulumtimi të “The Jamestown Foundation”, UNA-UNSO, një grupim organizatash ultranacionaliste ukrainase, u përfshinë në konfliktin çeçen kundër Rusisë. Ky formacion paraushtarak u shpërbë në vitin 2013, për t’u shkrirë brenda një konglomerati më të madh të ekstremit të djathtë, ultranacionalist brenda Ukrainës, të quajtur “Sektori i Djathtë”.

Mbështetës të organizatës ekstremiste ukrainase ‘Sektori i Djathtë’, gjatë një aktiviteti nacionalist

Kjo organizatë paraushtarake raportohet se ka rreth 10 000 anëtarë. Këtu mund të gjenden edhe kërkesat aktuale të Putinit për “denazifikim” të Ukrainës, ndonëse ky numër në një popullsi prej 44 milionësh, nuk janë domosdoshmërish një forcë përfaqësuese e vullnetit popullor.

Duke u kthyer pas në kohë, xhihadistët që hynë në Dagestan nuk ishin domosdoshmërish përfaqësues të shtetit të ri çeçen, duke pasur në mesin e tyre një masë të madhe udhëheqësish ekstremistë që nuk e gjenin veten krejtësisht rehat në Çeçeni. Ndaj edhe u tentua që Dagestani të shpallej shtet i pavarur.

Terrori ndihmoi luftën, dhe lufta Putinin

Përshkallëzimi i Luftës së Dytë Çeçene u shënua nga një sërë krimesh kundër civilëve nga të dyja palët. Një sërë organizatash ndërkombëtare, përfshi “Human Rights Watch”, dokumentuan krimet e luftës në Çeçeni. Ndërkaq, vetë xhihadistët ndërmorën një sërë sulmesh vetëvrasëse, ekzekutimesh dhe pengmarrjesh brenda dhe jashtë Çeçenisë, të cilat rezultuan në mbi 300 të vdekur.

Varr masiv në Çeçeni

Por këto të fundit, ndodhën para fushatës së bombave të vitit 1999 në Rusi, të cilat përfaqësonin një nivel të lartë sofistikimi koordinues, si dhe metoda shumë të ndryshme nga ato të përdorura nga xhihadistët. Megjithatë, Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), pasardhës i KGB-së famëkeqe, fajësoi çeçenët për këto sulme në territorin rus. Putini kishte shërbyer si drejtor i FSB-së gjatë vitit 1998, i emëruar në atë post nga Presidenti Jelcin.

Krahas pushtimit të Dagestanit nga xhihadistët, shpërthimet në Rusi i hapën rrugën Luftës së Dytë Çeçene, e cila rezultoi në rreth 40 000 civilë të vrarë. Po kaq të vdekur raportohen nga forcat ushtarake të palëve të përfshira. Ekspertë dhe avokatë të të drejtave të njeriut, sugjeruan se kjo luftë u bë kryesisht për përfitime politike të udhëheqësve rusë.

Luftëtarë çeçenë pranë një tanku rus të shkatërruar

Për shembull, Yelena Bonner, një aktiviste e mirënjohur botërisht për të drejtat e njeriut, raportoi më 4 nëntor 1999 para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit të Shteteve të Bashkuara, se Lufta e Parë Çeçene ndodhi për të rizgjedhur Presidentin Jelcin. Ndërsa Lufta e Dytë Çeçene, sipas Bonner, nevojitej për të rritur renditjen në sondazhet e garës për President, të Kryeministrit Vladimir Putin, të cilin Jelcini e kishte mbështetur publikisht si pasardhësin e tij.

Pamje nga rrënimi i Groznit, Çeçeni, gjatë luftës me Rusinë

Me një rol udhëheqës të dorës së parë nga Putini mbi luftën në Çeçeni, e cila po përmbyllej drejt fitores ruse, si dhe zbulimin e një komploti të supozuar çeçen në shpërthimet e bombave në dheun mëmë, mbështetja publike ndaj ish-shefit të FSB-së, pati një rritje të fuqishme. Në zgjedhjet e parakohshme të 26 marsit 2000, Putini fitoi garën presidenciale me 53% të votave.

Vladimir Putin betohet si President i Rusisë, duke qëndruar në krah të Boris Jelcin. Maj 2000

Por dosja e bombave në territorin rus, kaq ndihmëtare për justifikimin e një lufte të dytë në Çeçeni dhe zgjedhjen e Putinit në krye të vendit, mbeti një çështje e errët. Gjykatat ruse vendosën që sulmet ishin orkestruar nga militantët çeçenë. Ekspertë, akademikë dhe gazetarë të ndryshëm akuzuan shërbimet sekrete ruse për këtë fushatë terrori. Ekzistojnë një sërë investigimesh gazetareske, libra si dhe artikuj në revista serioze shkencore, që pretendojnë se FSB-ja ruse qëndronte pas këtyre sulmeve.

“Terr në Agim, Ngritja e Shtetit Kriminel Rus”, botuar nga Yale University Press, hedh dritë mbi rolin e shërbimeve sekrete ruse në fushatën e bombave në Rusi

Përveç metodave të pazakonta të përdorura në këto sulme nga militantët e akuzuar, koordinimi dhe aftësia për të depërtuar dhe ndërmarrë aksione të tilla në një shtet policor me mbikëqyrje të lartë të shërbimeve sekrete, u konsiderua diçka e pagjasë nga komuniteti i ekspertëve të sigurisë.

Presidenti Putin takohet me drejtorin e FSB-së, Nikolai Patrushev, më 9 gusht 2000

Një sërë faktesh dhe rrethanash të tjera, hedhin dyshime mbi autorësinë e shpërthimeve. Për shembull, ata që u shpallën përgjegjës për sulmet nuk ishin çeçenë, por u përkisnin etnive të tjera. Gjithashtu, shumica e të akuzuarve u vranë, vdiqën apo u zhdukën në rrethana misterioze. Ndërsa disa të tjerë, u dënuan me burgim të përjetshëm nga gjyqe ushtarake me dyer të mbyllura në Rusi.

Sheqeri i FSB-së

“Novaya Gazeta” – një ndër shumë pak media ende kritike ndaj pushtetit thuajse absolut të Vladimir Putin – botoi në mars të vitit 2000, një artikull mbi rastin e një ushtari rus, Aleksej Pinjev, i cili “huazoi” pak sheqer nga depoja e bazës së tij ushtarake pranë qytetit të Riazanit.

Sipas artikullit, ushtari i ngarkuar të bënte rojë në depon në fjalë, çau një thes të bardhë me mbishkrimin “sheqer” dhe mori një sasi për t’ia hedhur çajit. Shija e keqe e çajit e frikësoi Pinajevin duke e bërë të dyshonte se në vend të sheqerit, mund të kishte përdorur ndonjë substancë toksike. Ai e raportoi ngjarjen te komandanti i tij, i cili konsultoi një xhenier. Ky i fundit arriti në përfundimin se pluhuri i bardhë ishte Heksogjen.

Eksplozivi RDX, i njohur edhe si Heksogjen

Heksogjeni është një emërtim tjetër për RDX, i cili ishte eksplozivi i gjetur në bombën e pashpërthyer në Riazan. Pas publikimit të artikullit, brenda të njëjtit muaj, një raportim nga Televizioni Publik Rus kritikoi raportimin e “Novaya Gazeta” si të pavërtetë, dhe arriti në përfundimin se jo vetëm ngjarja nuk kishte ndodhur siç ishte raportuar, por që nuk ekzistonte asnjë depo në vendndodhjen e raportuar. Më vonë, vetë ushtari Pinajev e mohoi variantin e raportuar fillimisht.

Tregimi i sheqerit është i rëndësishëm sepse pas parandalimit të shpërthimit në shtator 1999, në ndërtesën në Riazan, policia arriti të arrestojë tre persona, dy burra dhe një grua, të cilët rezultuan agjentë të FSB-së. Në atë kohë, shërbimi sekret rus deklaroi, se në fakt, bëhej fjalë për një ushtrim stërvitor dhe se lënda e dyshuar si eksploziv, ishte thjesht sheqer. FSB-ja pretendoi se pajisjet e përdorura për identifikimin e përbërjes dhe mënyra e marrjes së kampionit ishin të gabuara.

Zjarrfikësit kërkojnë për të mbijetuar mes rrënojave pas një shpërthimi në Rusi, 13 shtator 1999

Eksperti i eksplozivëve nga radhët e policisë, i cili në intervista të gjata kishte treguar për eksplozivin dhe mënyrën e përdorur për identifikimin e tij, ndryshoi mendje disa muaj më vonë. Sipas dëshmisë së re, pajisja e përdorur për të analizuar “sheqerin” nuk kishte qenë e duhura dhe detonatori i gjetur nuk mund të shërbente për një shpërthim të vërtetë.

Një raport paralel i FSB-së mbi një shpërthim në Moskë, fillimisht tregoi se në vendngjarje ishin gjetur gjurmë RDX-i dhe TNT-je (një lloj eksplozivi shumë i përhapur që përdoret për qëllime ushtarake dhe civile). Më vonë doli një raport i ri, sipas të cilit, gjurmë eksplozivash të tjerë ishin gjetur, por RDX-i nuk përmendej më.

Selia e FSB-së në Moskë

Arsyeja përse përmendja e këtij eksplozivi specifik ishte kaq e ndjeshme, kishte të bënte me faktin se ai prodhohej në një fabrikë të vetme ushtarake në Rusi, e cila ishte nën mbikëqyrje të rreptë.

Viktima të së vërtetës

Një komision i pavarur hetimor nga Duma ruse, mbi rastin e Riazanit, nisi punën në vitin 2002. Por hetimi hasi në një sërë pengesash. Për shembull, disa nga personat e përfshirë në të, vdiqën në aksidente të dyshimta automobilistike apo ajrore.

Një nga personat kyç, Mihail Trepashkin, hetues i ngarkuar nga komisioni, duke qenë avokat dhe ish-kolonel i FSB-së, u arrestua për armëmbajtje pa leje dhe u dënua me katër vite burg në një gjyq me dyer të mbyllura, vetëm pak ditë para publikimit të gjetjeve.

Një grua vendos lule në përkujtimoren e gazetares së vrarë Anna Politkovskaja

Gazetarja Anna Politkovskaja, e cila po investigonte intensivisht për rastin në fjalë, u qëllua për vdekje në vitin 2006. Ajo ndodhej në ashensorin e ndërtesës ku banonte.

Në të njëjtin vit, u vra ish-agjenti i shërbimeve sekrete, Aleksander Litvinenko, i cili ishte arratisur dhe jetonte në Londër. Ai kishte akuzuar drejtpërdrejt presidentin Putin për rolin e tij në shpërthime. Litvinenko u vra me agjentin radioaktiv polonium.

Ish-agjenti rus Aleksander Litvinenko gjatë fundit të jetës së tij

Hetimit i kaloi afati dhe dosja mbi shpërthimet e vjeshtës 1999, ku u vranë mbi 300 qytetarë rusë, nuk u hap më kurrë.