Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Nën hijen e Covid-19, dy vite pandemi në Shqipëri

Nga A2 CNN
9 Mars 2022, 12:03 | Aktualitet
Nën hijen e Covid-19, dy vite pandemi në Shqipëri

Ishte ora 01.00 e mëngjesit të 9 marsit kur ministria e Shëndetësisë konfirmoi se në Shqipëri janë shënuar rastet e para me koronavirus në vend, një frikë që prej dy muajsh e kishin të gjithë për shkak të pamjeve që vinin nga Kina e bota mbarë.

Pamjet e para vijnë nga lokali i babë e bir që u cilësuar si pacienti zero gjatë dezinfektimit, pas dy ditë festimesh në vend të 7 dhe 8 marsit.

Pas konfirmimit të rasteve të para, më 10 mars vendi u karantinua. Asnjëherë qytetet e Shqipërisë nuk ishin parë aq të zbrazëta, teksa secili në shtëpinë e vet jetonte me ankthin e infektimit dhe pasigurinë e të ardhmes.

Gjatë karantinës, infektimet ishin me një shifër edhe më të ulëta humbjet e jetës. Covid-19 ishte ankthi më i madh, ndaj dhe masat mbrojtëse respektoheshin nga të gjithë.

Infektivi mori hijen e rëndë, i pari spital karantinë për rastet e vështira, e pas tij u hap Sanatoriumi dhe të tjera struktura Covid. Me rihapjen e vendit në qershor dhe muaj më vonë, Sars COV-2 zgjeronte hartën e infektimeve, vdekjet po shtoheshin madje edhe brenda radhëve të mjekëve, më të ekspozuarit ndaj virusit.

Në shkurt të vitit 2021 u shënua piku i infektimeve dhe të vdekjeve. Rastet ditore ishin me katër shifra dhe gati 20 humbje jete çdo 24 orë. Virusi u bë më agresiv për shkak të qarkullimit të mutacioneve të reja të cilat ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Sot me procesin e vaksinimit dhe variantin më të butë të Omicron rastet janë në rënie. 

Sipas të dhënave zyrtare, në 2 vite pandemi, janë prekur nga koronavirusi më shumë se 272,250 persona dhe 1307 janë të sëmurë aktivë. Por, me llogaritjet e epidemiologëve, infektimet në popullatë gjatë këtyre dy viteve janë 10 herë më të larta se shifrat zyrtare.

Në dy vite pandemi janë rritur ndjeshëm edhe rastet vdekjeve, totali i të cilave nga COVID-19 shkon në 3483 humbje jete. Tirana është ajo që kryeson me rastet.

Procesi I vaksinimit në Shqipëri nisi në janar të vitit 2021, vetëm dy muaj pasi kishin dalë dhe vaksinat e para kundër Sars Cov 2.  Sipas të dhënave zyrtare deri më 27 shkurt 2022 janë kryer mbi 1.2 milionë doza të para, mbi 1.1 milionë doza të dyta dhe mbi 236 mijë doza të treta.

Historia ka treguar se pandemitë në botë nuk kanë zgjatur më shumë se dy vite. Sot rastet në të gjithë botën vijojnë të jenë në rënie, por rreziku sipas OBSH-së është ende prezent.

Në të gjithë botën në total janë regjistruar mbi 445 milionë raste, afërsisht 6 milionë vdekje dhe janë bërë mbi 10 miliardë doza vaksinash. Rastet më të shumta janë në Europë të ndjekura nga SHBA dhe rajonet e tjera.

A2 CNN Livestream

Dita jonë