Serbia pezullon eksportin e grurit, Vuçiç: Na është kërkuar 200 mijë tonë në një ditë. Çmenduri!

Përditësuar më: 9/3/2022, ora 13:12
aleksander vucic 1280x720

Serbia pezullon eksportin e grurit, Vuçiç: Na është kërkuar 200 mijë tonë në një ditë. Çmenduri!

Përditësuar më: 9/3/2022, ora 13:12

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka prezantuar, këtë të mërkurë, masat lidhur me eksportin e produkteve bujqësore, pasi të hënën u përball me një kërkesë tejet të lartë për të eksportuar grurë në vendet e rajonit. Vuçiç theksoi se kjo masë erdhi pasi është e pamundur për arsye logjistike që të kryhet eksporti.

Ai tha se qytetarët nuk duhet të shqetësohen, sepse Serbia ka rezerva më shumë sesa është nevoja në një vit.

“Në një ditë të vetme kemi pasur kërkesë për një të katërtën e rezervës tonë totale, 200 mijë tonë grurë. Ka aq shumë kërkesë në rajon për drithëra saqë çmimi ka shkuar në stratosferë, të gjithë duan të sigurojnë bukën për popullin e tyre. Për këtë arsye, ne kemi marrë një vendim që të ndalojmë eksportet, të cilët do të rinisin kur ne ta vlerësojmë se jemi të sigurt”, theksoi Vuçiç.

Vuçiç tha më tej se aktualisht Serbia ka 800 mijë ton grurë dhe një milion ton misër në rezervat e saj, ndërsa sipas tij, nevoja vjetore është 1,2 milionë tonë grurë, teksa kjo sasi do të rritet ndjeshëm me korrjet e reja në gusht.

Presidenti i Serbisë shtoi se pezullimi do të hiqet në momentin kur qeveria të jetë plotësisht e sigurt për të kryer eksportet.