Deputetët i kërkojnë dorëheqjen, Basha pranon humbjen: Gati për gjithçka që bashkon PD

Përditësuar më: 10/3/2022, ora 17:06

Deputetët i kërkojnë dorëheqjen, Basha pranon humbjen: Gati për gjithçka që bashkon PD

Përditësuar më: 10/3/2022, ora 17:06

Lulzim Bashës iu deshën 4 ditë pas zgjedhjeve të 6 marsit për të pranuar humbjen. Para gazetarëve u shpreh i gatshëm të mbajë përgjegjësi dhe theksoi nevojën për reflektim, njësoj siç ka deklaruar pas çdo rezultati zgjedhor që ka rezultuar zhgënjyes.

Por kërkesat për dorëheqjen e tij vijuan edhe nga deputetët që ende nuk ishin shprehur deri tani. Kontaktuar nga A2 CNN, Dhurata Çupi i kërkoi kreut demokrat të largohet e të hapë garën.

“Krizat zgjidhen me votë dhe votëbesim. Duhet të japë dorëheqjen zoti Basha, që t’i hapë rrugë bashkimit dhe konkurrimit të drejtë përpara demokratëve. PD-ja sot ka nevojë për një lider që të na çojë drejt fitores”.

Ervin Salianji dhe Grida Duma insistojnë që Lulzim Basha ta lërë përfundimisht postin e kryetarit të demokratëve.

Kalimin te Komisioni i Rithemelimit në krah të Sali Berishës e cilësoi kthim mbrapa. Një qasje kjo që nuk shqetëson ish-kryeministrin e PD.

“Respektoj mendimet e cilitdo, qëllimi i Partisë Demokratike dhe Sali Berishës është hapja e plotë mbi bazën e kontributeve dhe ato që pranojnë votën e lirë. Kushti i vetëm që do të pranohen janë vota e lirë, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër”, tha Berisha.

Njësoj si Basha, edhe sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi u detyrua të pranojë krizën në PD, pa harruar të nënvizojë se përgjegjësitë duhen përcaktuar pas analizës dhe reflektimit.

“Nuk është çështje karrige, por përgjegjësie”.

Paraditen e të shtunës Lulzim Basha ka thirrur mbledhjen e  grupin parlamentar të PD-së ku pritet të përballet me deputetët që kërkojnë largimin e tij.