Jeta në Ukrainën e luftës, gazetarja në Kiev: Jetojmë në bunkerë, rrugët bosh

Përditësuar më: 10/3/2022, ora 20:02

Jeta në Ukrainën e luftës, gazetarja në Kiev: Jetojmë në bunkerë, rrugët bosh

Përditësuar më: 10/3/2022, ora 20:02

Gazetari i zhvillimeve ndërkombëtare në A2 CNN, Xhevahir Qardaku, zhvilloi një intervistë me gazetaren, Anastasiia Deina, të medias “Zerkalo Nedeli” në Kiev, lidhur me situatën në Ukrainë, luftimet, aspiratën e anëtarësimit në NATO dhe shpresën për paqe. Për të folur për ne, ajo la për pak minuta bunkerin ku ishte stacionuar, teksa frika se mund të goditej nga ndonjë bombardim ishte e madhe. Për Anastasian, Rusia nuk është më një vend mik.

Përshëndetje Anastasiia, shpresoj që ju, familja dhe miqtë tuaj, të jeni mirë dhe të sigurt. Që prej 24 shkurtit, ushtria ruse ka nisur pushtimin e Ukrainës. OKB-ja ka raportuar mbi 500 viktima civile, mes tyre dhe fëmijë, ndërsa miliona po jetojnë mes frikës dhe një krize humanitare të paprecedentë. Nga raportimet e fundit, mësojmë se korridoret për evakuimin e civilëve po dështojnë, ndërsa bombardimet nuk ndalen. Aktualisht si paraqitet situata në Kiev dhe në qytetet e tjera të Ukrainës?

Anastasiia: “Unë jam në shtëpinë time në Kiev. Sirenat e luftën bien shpesh këtu në kryeqytet, i dëgjoj gjithmonë. Kur ato bien, unë duhet të shkoj në vendstrehim dhe në bunkerët që mbrojnë ndaj bombave. Kështu që jam e tensionuar. Ukraina është një vend shumë i madh dhe operacionet luftarake janë të vazhdueshme në pjesën jugore dhe lindore. Ndërsa në perëndim të vendit, situata është më e qetë. Në Kiev, situata është në një pjesë qetë dhe në disa zona kemi luftime aktive. Një pjesë e madhe e qytetarëve janë larguar nga këtu që në ditët e para të luftës. Ata që nuk ikën po detyrohen të strehohen në bunkerë dhe stacion metroje që janë kthyer në vendstrehime. Në ditët e para në metro, kishte mijëra njerëz dhe ishte e pamundur që të flije aty. Por tani ka mobilizim dhe qindra persona po shpërndajnë materiale dhe ushqime atje. Në Kiev situata është e tensionuar. Nëse ecën gjatë mbrëmjes në qytet, rrugët janë të errëta dhe bosh, një situatë e frikshme. Ka pallate në errësirë të plotë dhe drita ndezur mund të shikoni një apo dy. Në kryeqytet, Kiev, sirenat bien të paktën 5 ose 6 herë në ditë. Çdo mëngjes, njerëzit mund të shkojnë në banesat e tyre, por nëse sirenat e luftës bien, duhet të kthehen menjëherë në vendstrehime. Dëgjojmë shpeshherë shpërthime dhe avionët tanë luftarakë na mbrojnë ne. Është një nivel shumë i lartë ankthi.”

Besoj i keni ndjekur me vëmendje bisedimet në takimin mes ministrave të jashtëm, Sergej Lavrov dhe Dmytro Kuleba. Si u përcoll dështimi në tryezën e organizuar nga Turqia? A besoni se përpjekjet diplomatike do të mund t’i japin fund luftës dhe cilat kushte mund të pranojë Ukraina dhe cilat jo?

Anastasiia: “Ukraina nuk mund të pranojë kushtet e tyre, ato që Rusia kërkon. Mendoj se rruga e duhur është drejt perëndimit dhe nuk e di se si mund të negociohet me terroristët. Ne kemi shfaqur gjithmonë dëshirë për diplomaci. Ne kërkojmë nga NATO që të mbyllë qiellin, por NATO nuk po na dëgjon ne. Peticioni që i kërkon NATO-s të mbyllë hapësirën ajrore i ka tejkaluar 1 milion firmat. Por nuk ka progres në atë drejtim. Ne shohim një sasi të madhe sanksionesh dhe masash ekonomike për të ndikuar palën ruse. Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe ndaluan importin e naftës ruse dhe ky ishte një hap i madh, por deri më tani nuk ka pasur ende sukses. Kështu që duhet t’i përdorim të gjitha mënyrat. Mendoj se populli dhe ushtria jonë po ia dalin mjaft mirë dhe Rusia nuk e priste këtë rezistencë. Ne kemi qëndruar për dy javë dhe mendoj që Rusia ka humbur shpresën se do të marrë atë që kërkon. Po e kupton dita-ditës se ne nuk dorëzohemi. I jam falënderuese forcave tona ushtarake që na kanë mbrojtur ne kaq mirë dhe për kaq gjatë.”

Përpara se të niste lufta, NATO dhe perëndimi kanë ofruar vazhdimisht mbështetje për Ukrainën, përballë agresioni të Rusisë. Por tani aleanca ushtarake duket sikur po mban një pozicion më të tërhequr duke dashur të shmangë ndoshta një Luftë të Tretë Botërore. Si ka ndikuar kjo sjellje e NATO-s në sytë e ukrainasve dhe a dëshiron populli që ende të anëtarësohet në aleancë?

Anastasiia: “Prej një kohë të gjatë ne kemi dashur që t’i bashkoheshim NATO-s dhe sigurisht ne ende dëshirojmë që të jemi pjesë e asaj organizate të madhe e të fuqishme. Por, shumë njerëz janë zhgënjyer për faktin që NATO nuk reagoi kundër terrorizmit që po bëhet në vendin tonë. Është shumë e çuditshme. Partia në pushtet propozoi krijimin e organizatave të tjera që garantojnë sigurinë tonë përpara se NATO të jetë në gjendje të pranojë anëtarësimin e vendit tonë, pasi ai proces mund të zgjasë deri në 15 vite. Në ato 15 vite, ne duhet të mbijetojmë. Kështu që duhet të bëjmë marrëveshje me disa vende, si Shtetet e Bashkuara, Turqia për të garantuar sigurinë tonë.”

Populli ukrainas po frymëzon mbarë botën me rezistencën që po i bën ushtrisë ruse në këtë tentativë për pushtim. Perceptimi i qytetarëve në këtë konflikt cili është, a konsiderohet ende Rusia një vend mik për ju?

Anastasiia: “Është një pyetje e vështirë, por lufta po vijon në vendin tonë, dhe prej 8 vitesh në fakt. Tani nuk mund të themi se Rusia është një vend mik për ne, gjë për të cilën më vjen keq. Tani Rusia është një shtet terrorist që vret civilë. Edhe më shumë njerëz po e kuptojnë identitetin tonë si ukrainas. Dihet që shumë njerëz në Ukrainë flasin rusisht, por tani shumë po përdorin vetëm gjuhën ukrainase dhe po shohim një rritje të shpirtit ukrainas. Kështu që ne tani, nuk e konsiderojmë Rusinë si vend mik.”

Çmimet e ushqimeve dhe e karburantit janë rritur në çdo anë të globit. Po në Ukrainë si është situata, ka luhatje apo shitësit dhe bizneset po mbajnë një nivel për të mos rënduar dhe më tej xhepat e qytetarëve?

Anastasiia:  “Çmimet nuk janë rritur, por kanë mbetur në nivelet e para luftës. Ne mund të blejmë ushqim dhe karburant, por ka pasiguri. Në dyqanet e Kievit mund të mos gjesh disa produkte që i kishim përpara luftës. Njerëzit që nuk kanë para, që kanë humbur vendin e punës dhe nuk kanë mundësi për të blerë produkte, i marrin ato nga vullnetarët. Ne ndihmojmë njëri-tjetrin dhe mendoj se është diçka e mirë.”