Bisedimet për fundin e luftës, Putin: Ka zhvillime pozitive në negociata

Përditësuar më: 11/3/2022, ora 16:56
putin 2

Bisedimet për fundin e luftës, Putin: Ka zhvillime pozitive në negociata

Përditësuar më: 11/3/2022, ora 16:56

Zhvillime pozitive në negociatat mes Moskës dhe Kievit për fundin e luftës në Ukrainë. Këtë e tha vetë presidenti rus Vladimir Putin gjatë një takimi me liderin bjellorus dhe aleatin Aleksandër Lukashenko në Moskë.

Shefi i Kremlinit deklaroi se negociatorët e kishin njoftuar për një ndryshim pozitiv të pozicioneve në bisedimet mes palëve, që siç tha zhvillohen çdo ditë.

Delegacionet nga të dyja vendet kanë zhvilluar tre raunde bisedimesh, ndërsa të enjten pati një takim mes ministrave të Jashtëm, Lavrov dhe Kuleba, i mbyllur pa progres.

Sakaq, Kremlini nuk përjashtoi mundësinë e një takimi mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas, Volodimir Zelensky.

Agjencia e lajmeve TASS, citon Kremlinin të thotë se dyshja duhet të takohet për të prodhuar ndonjë rezultat. Zelensky, nga ana e tij, shprehet i gatshëm të ulet në të njëjtën tryezë me njeriun që po udhëheq fushatën brutale ushtarake në Ukrainë. Në takimin me Lukashenkon, presidenti Putin foli edhe për sanksionet e perëndimit, duke thënë se ekonomia ruse është nën sulm.