Dita e 19 e luftës në Ukrainë, bombardohet pallati në Kiev, autoritetet: Mbi 2100 viktima në Mariupol

Përditësuar më: 14/3/2022, ora 12:47

Dita e 19 e luftës në Ukrainë, bombardohet pallati në Kiev, autoritetet: Mbi 2100 viktima në Mariupol

Përditësuar më: 14/3/2022, ora 12:47

Një tjetër natë ka kaluar mes frikës dhe zhurmës së bombave në qytetet ukrainase. Sirenat që lajmërojnë sulme ajrore u dëgjuan në shumë rajone, nga Lviv në Kharkiv dhe Odesa.

Një pallat 9-katësh u bë shënjestër e një sulmi rus në zonën e Oblon në Kiev, me pasojë vdekjen e të paktën 2 personave dhe plagosjen e 3 të tjerëve. Dhjetëra banorë u evakuuan nga godina, ndërsa zjarrfikësit ndërhyjnë për shuarjen e flakëve.

Predhat ruse sulmuan edhe fabrikën e prodhimit të avionëve Antonov, rreth 10 km nga qendra e qytetit të Kievit. Mediat ukrainase raportojnë se një kullë televizive pranë Rivne në perëndim të Kievit ishte dëmtuar si rezultat i një sulmi me raketë. 

Në shënjestër edhe fshati Stavische, në rajonin e Zhytomyr ku predhat goditën godina të administratës lokale. Flitet për 4 të plagosur dhe 7 ndërtesa të shkatërruara.

Kjo video e verifikuar nga BBC, tregon një sërë godinash të larta që bombardohen nga ushtarët rusë në qytetin port të Mariupol ditën e diel. Praktikisht i izoluar nga pjesa tjetër e botës, Mariupol përballet prej ditësh me breshëri raketash ruse, ndërsa evakuimi i qytetarëve është i pamundur. Sipas autoriteteve ukrainase, mbi 2100 civilë besohet të jenë vrarë atje që kur trupat e Vladimir Putin e rrethuan qytetin strategjik më 2 mars.

Bota pa e alarmuar të dielën, teksa ushtria ruse e zgjeroi ofensivën pranë kufirit të Polonisë anëtare të NATO-s, duke sulmuar një bazë ushtarake në Javoriv. Kievi pretendon se u vranë 35 persona e u plagosën 134  të tjerë, ndërsa Rusia thotë se ka vrarë deri në 180 mercenarë të huaj dhe se ka shkatërruar një sasi të madhe armësh të siguruara nga vendet perëndimore.