Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

"Mundësia juaj e fundit!" Si po ndryshon jeta e përditshme e qytetarëve rusë, pas sanksioneve?

Nga A2 CNN
14 Mars 2022, 12:43 | Bota

SHBA-ja, Britania e Madhe dhe BE-ja kanë vendosur sanksione të shumta ndaj Rusisë që kur lideri rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin e Ukrainës. Qindra kompani dhe biznese ndërkombëtare janë larguar tashmë nga vendi. Ndikimi i këtyre masave sapo ka filluar të ndihet dhe po reflektohet fillimisht te rritja e kostos së produkteve bazë.

Vaj gatimi, sheqer dhe ilaçe

  • Çmimet e konsumit u rritën me 2.2% në javën e parë të pushtimit.
  • Disa dyqane po kufizojnë shitjen e artikujve kryesorë.
  • Shitja e barnave nuk është e prekur nga sanksionet, por kompanive kryesore të transportit iu është pezulluar shërbimi, çka do të thotë se furnizimi me ilaçe mund të hasi vështirësi.

Rubla ka rënë në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë, duke bërë që shumë shitës me pakicë të rrisin çmimet e tyre. Daria, e cila jeton në qendër të Moskës, thotë se nuk ka gjasa që dyqanet të boshatisen dhe të mos ketë më mall. "Ushqimi nuk do të zhduket, por do të bëhet më i shtrenjtë. Se sa më i shtrenjtë, nuk mund ta imagjinoj - dhe kam frikë ta mendoj. Deri tani, kam blerë 4 kg kafe, 4 litra vaj luledielli, 4 litra vaj ulliri dhe 4 shishe uiski. Gjithashtu, kam porositur një sasi të mjaftueshme medikamentesh për presionin e lartë të gjakut, pasi disa ilaçe janë më të vështira për t'u marrë.”

Jan - një qytetar i BE-së që jeton dhe punon në Moskë – tregon për BBC, rritjen e menjëhershme që kanë pësuar çmimet. “Më 20 shkurt, porosita produkte ushqimore për 5500 rubla (rreth 57 dollarë) dhe tani e njëjta shportë kushton 8000 rubla. Çmimi i qumështit është dyfishuar në dy javët e fundit”, thotë ai.

Çmimet e sheqerit dhe drithërave janë tashmë rreth 20% më të larta se një vit më parë. Agjencia shtetërore ruse e lajmeve "Tass", tha se disa shitës me pakicë kishin rënë dakord të mos rrisnin çmimet e disa produkteve më shumë se 5%. Të tjerët kanë zgjedhur të kufizojnë tregtimin e miellit, sheqerit dhe vajit.

Pajisjet e fundit teknologjike

Disa prej kompanive që kanë bojkotuar shitjet në Rusi janë edhe markat ndërkombëtare si Apple, Ikea dhe Nike.

Daria kishte menduar të blinte laptopë të rinj për familjarët e saj dhe nxitoi t'i merrte pasi pa çmimet që po rriteshin gjithnjë e më shumë. 

"Në fillim të shkurtit, laptopët kushtonin rreth 70 000 rubla [730 dollarë; 560 £], por nga fundi i muajit çmimi shkoi deri në 100 000 rubla. Pak ditë më pas, shkoi në 140 000 rubla, dhe në Moskë u shitën të gjitha në kohë rekord. Pas njoftimit se kompania Apple do të ndalonte shitjet e  produkteve në Rusi, të gjithë nxituam të blinim celularë. Me shaka mund të them që tani ne të gjithë kemi iPhone-in e fundit. Edhe makinat e reja janë rritur në çmim. Ne nxituam të blinim filtra dhe vaj për makinën, kur ajo të ketë nevojë për shërbim. Fatmirësisht, ia dolëm t'i blinim me çmimet e vjetra para se të dyfishoheshin."

Pavel, një pedagog universiteti , po kërkonte të blinte pajisje të reja për apartamentin e tij në Moskë. Në ditën kur filloi lufta, ai vuri re se çmimet u rritën me gati 30%. Arriti të blinte te dyqanet e Ikea-s një frigorifer, disa enë kuzhine, lavatriçe dhe disa mobilje për dhomën e gjumit, para se këto dyqane të mbylleshin.

“Mundësia juaj e fundit për të shijuar lumturinë e huaj!"

Një nga firmat e para perëndimore që u hap në Bashkimin Sovjetik, rreth 30 vjet më parë, ishte McDonald's, por sot rreth 847 pika janë mbyllur. Brenda disa orësh nga njoftimi, ushqimet në rrjetin e McDonald's u shitën me një çmim 10 herë më të lartë se zakonisht. Në një mesazh që qarkullonte ato ditë rreth mbylljes së zinxhirit të fast food-eve, me humor shkruhej: “Mundësia juaj e fundit për të shijuar lumturinë e huaj!".

Megjithatë, ende ka qytetarë që nuk e kanë ndjerë ndikimin e sanksioneve perëndimore. I tillë është Vladimir, i cili jeton në Saratov, në Rusinë jugperëndimore, dhe thotë se shumë rusë nuk do t'i përjetojnë këto masa. "Vatniki [përkrahësit e Kremlinit] nuk do të ndikohen nga rënia e rublës, sepse ata nuk blejnë mallra të huaja të shtrenjta."

Humbja e klientëve dhe e shërbimeve online

  • Bankat ruse tashmë janë hequr nga sistemi ndërkombëtar i pagesave Swift.
  • Visa, Mastercard, American Express, Apple dhe Google Pay kanë kufizuar shërbimet e tyre në Rusi.
  • Banka qendrore ruse thotë se ekonomia mund të tkurret deri në 8%.

“Situata ka pasur një ndikim të madh në biznesin tonë”, thotë Natasha, e cila punon në industrinë e fitnesit. "Numri i klientëve është ulur ndjeshëm”. Ajo parashikon që shumë biznese do të mbyllen. 

Ekaterina drejton një qendër kursesh të gjuhëve të huaja dhe thotë se sanksionet i kanë shkaktuar që tani probleme. "Ne kemi mësues nga vende të tjera, por për momentin nuk mund t'i paguajmë sepse të gjitha rrjetet e transfertave janë të ngrira. Kemi gjithashtu studentë nga SHBA-ja, Gjermania dhe Letonia që nuk mund të paguajnë tarifat e tyre në llogaritë tona.” Ajo është e shqetësuar edhe se si do t'i menaxhojë orët e mësimit me grupet e studentëve jashtë vendit, nëse Zoom apo platforma të tjera do të bllokohen të gjitha.

Që prej nisjes së sanksioneve, shumë qytetarë po i druhen edhe humbjes së vendit të punës, pasi kompanitë e mëdha ndërkombëtare po tërhiqen nga Rusia.  

https://a2news.com/2022/03/11/cilat-jane-sanksionet-e-vendosura-ndaj-rusise-dhe-si-ka-reaguar-ajo/

Mbyllja e mediave dhe kujtimet e Luftës së Ftohtë

  • Ligji i ri kërcënon të burgosë këdo që mendohet se ka përhapur lajme "të rreme" mbi pushtimin në Ukrainë.
  • Media e pavarur u bë subjekt i kufizimeve dhe censurës.
  • Më shumë se 13 000 njerëz janë arrestuar në protestat kundër luftës.

Disa qytetarë e konsiderojnë Presidentin Putin përgjegjës direkt për sanksionet dhe situatën e vështirë që po kalojnë, por shumica e rusëve i marrin lajmet nga mediat shtetërore, të cilat janë përhapëse të propagandës anti-ukrainase të Kremlinit. Shumë njerëz e mbështesin vendimin e Putinit dhe fajësojnë Perëndimin për sanksionet. Të tjerët nuk e miratojnë luftën, por qëndrojnë të heshtur - është e rrezikshme të kritikojnë liderin e tyre, këto kohë.  A2 CNN ka sjellë edhe më parë në fokus censurën dhe dhunën që po ushtron qeveria ruse te mediat e lira dhe të pavarura.

https://a2news.com/2022/03/10/jemi-deshmitare-te-nje-tragjedie-si-e-vrau-putin-shtypin-e-lire-te-rusise/

Ngjarjet që po ndodhin sjellin kujtime të viteve 1990, kur ekonomia e Rusisë u shemb pasi Bashkimi Sovjetik u shpërbë. Kohën kur ushqimi shpërndahej me racione dhe kupona për të blerë sheqer, gjalpë dhe qumësht, me siguri që rusët nuk do të donin ta përjetonin sërish.

"Më kujtohen radhët e mëdha për të blerë... Shpesh kishte debate të forta, kundër shitjes së produkteve te blerësit jashtë qytetit. Ishte e turpshme. Shpresoj që të mos ndodhë kurrë më. Kam frikë se do të ketë më shumë vjedhje dhe grabitje për shkak të një rritje të papritur të varfërisë dhe humbjeve të vendeve të punës."

Qytetare ruse

Marrë nga BBC

A2 CNN Livestream

Dita jonë