Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Në garë me kohën për t’u larguar nga lufta

Nga A2 CNN
16 Mars 2022, 15:24 | Bota

Viktima e parë e luftës, është koha. Për shumë familje në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, koha ka ndalur.

Dramat familjare kanë bërë që një pjesë e tyre të mbesin të izoluar në qytet. Disa të dalin prej aty, por duke mos e ditur se ku të shkojnë e një pjesë tjetër, të lënë Ukrainën e të ikin larg për të shpëtuar nga predhat e luftës.

Këto janë historitë e tre familjeve nga Kharkivi, të cilat i bashkon i njëjti qytet, por jo fatet e tyre në kohë lufte.

Sonja tregon për A2 CNN se në kufi, bashkëshorti i saj nuk u lejua të largohej. Ata u vendosën fillimisht në Lviv, por shpresojnë të largohen nga Ukraina, pasi kanë të afërm jashtë vendit. Sipas saj, bashkëshorti është invalid lufte, pasi është plagosur gjatë shërbimit ushtarak dhe nuk mund të shërbejë. Madje tentoi të bashkohej me mbrojtjen territoriale, por ata nuk e lejuan për shkak të shëndetit të tij. “Ne erdhëm si një familje e tërë me dy fëmijët. Jaroslav është 4 muajsh dhe djali tjetër 4 vjeç”, thotë ajo.

https://a2news.com/2022/03/03/a2-cnn-brenda-fabrikes-se-molotoveve-nga-ku-nis-rebelimi-i-civileve-ukrainas/
https://a2news.com/2022/03/04/qendresa-e-ukrainasve-a2-cnn-hyn-ne-tunelet-e-rezistences/

Sergei ka mbetur në Kharkiv. Meshkujt nuk lejohet të largohen pasi duhet të mbrojnë vendin. Ai tregon se qyteti sulmohet vazhdimisht dhe rezervat ushqimore po mbarojnë. “Duhet të fikim dritat sepse është mbrëmje dhe nëse rusët shohin drita, ata bombardojnë”, thotë ai.

Në momentet e para, Marina nuk e besoi me të vërtetë se çfarë po ndodhte dhe se lufta kishte filluar. Shpresoi se do të mbaronte, por më kot. “Situata vijon të jetë e rëndë si në ditën e parë kur u zgjuam në orën 5 të mëngjesit nga bombardimet. Ato vazhdojnë edhe sot”, thotë ajo. Marina ka lënë prindërit në Kharkiv, pasi mosha e tyre e bën të pamundur largimin.

“Së pari, unë nuk e di nëse kjo do të përfundojë sepse në pikëpamjen time është një konflikt jo midis Rusisë dhe Ukrainës, por midis Putin dhe kujtdo”, thotë Sergei. “Unë mendoj se është një gënjeshtër kur Putin thotë se do të sjellë paqe dhe do të mbrojë gjuhën ruse. Unë jam Ukrainas që flas rusisht dhe në Kharkiv 99 për qind e popullsisë flet rusisht. Edhe kryetari ynë i Bashkisë flet rusisht dhe askush nuk të paragjykon, nuk ka ndodhur asnjëherë. Ka pasur një numër të popullsisë që janë pro rusë, por ata tashmë kanë kuptuar se Presidenti Putin është i çmendur kur i bombardoi dhe ata. Është si Hitleri kur sulmoi Poloninë duke gjetur pretekste, si stacioni i radios. Në Kharkiv njerëzit mendojnë të njëjtën gjë se Putin do të bënte diçka të ngjashme, ai tashmë e ka bërë”.

“Familjet në Kharkiv filluan të bëjnë dhe dallimin se çfarë bombardimesh ishin dhe shumë rrallë kishte net të qeta”, thotë Marina. “E kisha të vështirë të largohesha nga vendi im sepse nuk doja, por duhej të shpëtoja jetën e djalit tim. E dija që rruga ishte e vështirë, por vendosa për djalin. Dua ta besoj se Ukraina do të fitojë dhe kjo luftë do të mbyllet sa më shpejt. Kur pashë të gjithë atë radhë automjetesh në kufi e kisha mjaft të vështirë të mendoja se të gjitha këto po ndodhin në shtetin tim. As nuk e besoja që kjo po ndodhte. Jam ende në Ukrainë, pavarësisht se fizikisht ndodhem në Shqipëri. Doja t’ju falënderoj nga zemra që ju keni shpirt të madh që na ndihmuat dhe prej jush, rruga ishte e qetë dhe e sigurt”.

https://a2news.com/2022/03/06/ana-tjeter-e-luftes-ne-ukraine-te-rinjte-krijojne-zyra-nderlidhjeje-per-koordinimin-e-ndihmes/
https://a2news.com/2022/03/06/libraria-e-kthyer-ne-fabrike-kamuflazhi/

A2 CNN Livestream

Dita jonë